Kosova

Prapaskenat e Athinës: A e dënoi Vuçiçi agresionin rus në këmbim të mosnjohjes së Kosovës nga Ukraina?


Udhëheqësit e 11 vendeve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Athinë/21 gusht 2023

Në një kohë kur zërat rreth mundësisë së lëvizjes së Ukrainës në drejtim të njohjes së Kosovës po rriteshin gjithnjë e më shumë dhe trysnia gradualisht po binte mbi Serbinë në lidhje me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, takimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç ka shqetësuar një pjesë të vëzhguesve se mos energjia pozitive e javëve të fundit po neutralizohet.

Udhëheqësit e njëmbëdhjetë vendeve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar të hënën “Deklaratën e Athinës” në mbështetje të pakushtëzuar të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në sfondin e agresionit rus, ndërsa të njëjtit kanë bërë thirrje për ndëshkimin e kryesve të krimeve të luftës dhe mizorive të tjera.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia, të cilat janë gjeografikisht ngjitur me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndajnë një trashëgimi të përbashkët evropiane dhe së këndejmi duhet të anëtarësohen në familjen kontinentale me të drejta të plota e të barabarta, veçanërisht pas përhapjes së ndikimit rus në këtë pjesë të Evropës.

“Pushtimi rus i Ukrainës është një moment kyç për Evropën, për të krijuar një nivel të ri ndërgjegjësimi në lidhje me parimet e përbashkëta, unitetin dhe të ardhmen e përbashkët brenda BE-së. Kjo është një kohë kritike për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e kontinentit evropian”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e nënshkruar nga njëmbëdhjetë shtete, përfshirë shtetin e pavarur të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, sipas raportimeve të medieve ruse e serbe, presidenti serb ka arritur të heq frazën “aplikim më efektiv i sanksioneve kundër Rusisë” nga deklarata e samitit, nikoqir i së cilës ka qenë kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ku përveç zyrtarëve të lartë rajonalë, të pranishëm ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kreu i Këshillit Evropian Charles Michel.

E në këtë shoqëri liderësh ballkanikë dhe zyrtarësh të lartë të institucioneve të BE-së, presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentes moldave Maia Sandu, prezent ishte edhe kryeministri kosovar Albin Kurti, të cilit në deklaratën e përbashkët edhe ashtu nuk iu përmend fare emri i shtetit që e përfaqëson por vetëm posti institucional/politik që e mban.

Megjithatë, ndonëse nuk arriti të zhvillonte takim biletaral me presidentin ukrainas, kreu i ekzekutivit kosovar ka takuar kryeministrin grek. Edhe Ukraina edhe Greqia refuzojnë të lëvizin nga pozicioni i ngurtë rreth pavarësisë së Kosovës, megjithëse të dyja kanë qenë konstruktive ndaj Kosovës në aspektin praktik, posaçërisht në kohën kur janë intensifikuar përpjekjet për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.

Çështja e (mos)njohjes së Kosovës ka qenë temë diskutimi edhe në takimin ndërmjet presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy. Pa e përmendur Kosovën nuk ka kaluar as takimi i presidentit serb me kryeministrin grek.

Zelenskyy pas takimit tha se me presidentin serb ka pasur një takim të “frytshëm” në lidhje me “paprekshmërinë e kufijve”, ndërsa Vuçiçi pas takimit me Zelenskyyn tha se “Ukraina nuk do të ndryshojë qëndrimin për Kosovën”, në dritën e agresionit rus dhe në një moment kur Serbia përkundër trysnisë refuzon kategorikisht sanksionimin e Rusisë dhe mbanë lidhje të forta me Moskën.

A ia arriti presidenti serb të marrë ndonjë garancë nga Ukraina dhe eventualisht nga Greqia për shtyrjen e njohjes së Kosovës, në mënyrë që t’i bashkëngjitej deklaratës së liderëve të tjerë në dënimin e agresionin rus, madje edhe thirrjes për dënimin e kryesve të krimeve – sëpaku me fjalë – apo thjesht dhe beftë e gjeti veten “të mbështetur për muri?”

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në platformën sociale “X”, ka shprehur bindjen se takimi i presidentit serb me homologun e tij ukrainas është realizuar mbi faktin se Vuçiç ka dashur të bindë Zelenskyyn për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës, ose për të siguruar një marrëveshje armësh.

“Ka shumë të ngjarë që Vuçiçi të ketë rënë dakord që të takohet me Zelenskyyn për të ushtruar presion mbi Ukrainën për mosnjohjen e Kosovës. Unë shpresoj që Zelenskyy të kuptojë se çfarë rreziku politik mund të sjellë një marrëveshje e tillë. Pavarësia dhe stabiliteti i Kosovës janë gjithashtu në interes të Ukrainës”, ka shkruar eurodeputetja gjermane.

Edhe ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, ka shprehur pikëpamjet e tij për takimin e dy presidentëve të martën në Athinë, vetëm pak ditë pas kërcënimeve që erdhën nga Beogradi në drejtim të Kievit për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Bildt, i cili për një kohë ka qenë edhe ministër i Punëve të Jashme dhe është tejet i vëmendshëm ndaj zhvillimeve politike në rajon, ka thënë se çështja e “paprekshmërisë së kufijve” për të cilën kanë diskutuar dy presidentët, sikur në rastin Ukrainë-Rusi ashtu edhe në atë Kosovë-Serbi, mund të jetë pakëz më e ndërlikuar sesa mendohet.

“Disi e ndërlikuar për Ukrainën me çështjen e Kosovës. Presion i fortë pro dhe kundër njohjes. Çështja e paprekshmërisë së kufijve, të cilës i referohet Zelenskyy është e rëndësishme, por e ndërlikuar në rastin Kosovës”, ka shkruar Bildt të martën.

Për një kohë shumë të gjatë, në “pokerin diplomatik” presidenti serb ka luajtur vazhdimisht me “kartën e neutralitetit” për të mbajtur balancën ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, gjë që në fakt e ka lejuar Serbinë që të zgjerojë hapësirën destruktive të manovrimit, përkundër akteve herë-herë skandaloze.

E këtë e ka spikatur edhe profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor, Edward Joseph, i cili ka kërkuar nga presidenti ukrainas që të bëhet gati e të dëgjojë marrëzira në lidhje me neutralitetin e Serbisë dhe qëndrimin e saj ndaj agresionit rus në Ukrainë.

“President Zelenskyy, përgatitu që të dëgjosh shumë gjepura për ‘neutralitetin’ serb ndaj agresionit rus kundër vendit tuaj. Siç edhe e dini, gjëja e vetme që është më e keqe se neutraliteti është neutraliteti i rremë. Mos bini në grackën e përpjekjes për të joshur Vuçiçin. Marrëdhënia e tij me Rusinë mbështetet në izolimin e Kosovës”, ka shkruar Joseph.

Joseph ka përsëritur se çelësi i zgjidhjes së çështjes mes Kosovës dhe Serbisë qëndron te pesë shtetet mosnjohëse të BE-së (Greqia, Sllovakia, Spanja, Rumania dhe Qipro), njëkohësisht anëtare të NATO-s, por edhe te Ukraina, vendimi i së cilës për njohjen e Kosovës do t’i aktivizonte shtetet e tjera.

“Këtu hyn Ukraina. Marrëdhëniet Beograd-Moskë bien kur asnjë kryeqytet nuk mund të izolojë Kosovën. Njohja e Kosovës nga Ukraina do të aktivizonte katër mosnjohësit e NATO-s që të ndjekin shembullin. Siç edhe e dini, rruga drejt anëtarësimit në NATO është çelësi”, ka vlerësuar profesori amerikan.

Para takimit të së hënës, hera e vetme që Zelenskyy dhe Vuçiçi ishin takuar ishte më 1 qershor, kur ata kishin folur ballë për ballë në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në Kishinau të Moldavisë – në nxehtësinë e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

Serbia së bashku me Bjellorusinë janë vendet e vetme në Evropë që përveçse akoma nuk i kanë vendosuar sanksione Rusisë për agresionin e paprovokuar dhe të paligshëm në Ukrainë, mbajnë lidhje të ngushta me Moskën, ndërsa Kosova është ndër vendet e para që prej fillimit të agresionit në shkurt të vitit 2022 ka dhënë mbështetjen e saj për Ukrainën dhe popullin ukrainas.

Zyrtarët serbë në krye me Vuçiçin, vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Moskës, ngase kështu mbron “interesat vitale” të shtetit, sepse edhe Beogradi gjithashtu mbështetet te Rusia, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore