Kulturë

Posta e Kosovës nderon Edi Shukriun, lëshon në qarkullim pullën postare dedikuar akademikes së ndjerë


Posta e Kosovës duke nisur prej datës 14 dhjetor, ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullës postare dedikuar njërës prej grave më emblemike të Kosovës, Edi Shukriu.

Shukriu ishte akademike dhe njëra nga arkeologet dhe historianet e para, por edhe emër i njohur dhe i çmuar në lëmin e letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare.

Ajo kishte lindur në Prizren në vitin 1950, derisa edhe shkollimin fillor e të mesëm i kreu në vendlindje.

Ndërkaq, studimet për arkeologji i ndoqi në Universitetin e Beogradit në vitin 1972, ku po ashtu i përfundoi edhe studimet e nivelit master në vitin 1979.

Shukriu, doktoroi në Universitetin e Prishtinës në vitin 1990.

Ajo punoi në Muzeun e Kosovës që nga viti 1974 deri në vitin 1979, dhe vazhdoi me angazhimin në Universitetin e Prishtinës, në cilësinë e profesoreshës në Degën e Historisë për arkeologjinë dhe historinë e lashtë.

Në vitin 2012, Edi Shukriu u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2020 anëtare e rregullt e saj.

Nga viti 2014, u emërua anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg.

Edi, u nda nga jeta më 17 janar të vitit 2023 ndërroi jetë në Prishtinë, duke lënë në trashëgimi vepra të shumta nga arkeologjia, historia dhe letërsia.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e trashëgimisë kulturore, u dekorua me çmimin “Dea Dardanica” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2017), si dhe me çmime të shumta për krijimtari letrare.

Vdes akademikja Edi Shukriu

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore