Lajme

Popov: “Anëtarësimi i Kosovës në KE, gjë reale – Serbia do të përfitonte nga anëtarësimi i Kosovës në UNESCO dhe Interpol”


Drejtori i Qendrës Rajonale në Beograd, Aleksandër Popov

Është realiste të pritet që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, ka thënë drejtori i Qendrës Rajonale në Beograd, Aleksandër Popov, për gazetën serbe “Nova”.

Kjo ngase Këshilli i Evropës është organizatë që funksionon pavarësisht Bashkimit Evropian, dhe anëtarësimi brenda saj bazohet në votimin prej dy-të-tretave të shteteve anëtare, tha ai.

Popov anëtarësimin e Kosovës në KE e sheh brenda kontekstit aktual të luftës në Ukrainë, dhe refuzimit të Serbisë për t’u bashkërenduar me sanksionet perëndimore kundër Rusisë. Sipas tij, përgjigja e Perëndimit ndaj Serbisë është anëtarësimi i Kosovës në KE.

“Askush nuk e detyron [Serbinë] të hyjë në paktin e NATO-s, por nëse duam t’i bashkohemi BE-së, atëherë duhet që të përshtasim politikën e jashtme. Serbisë po i kërkohet të deklarojë nëse apo jo është në favor të sanksioneve kundër Rusisë, sepse po qe se nuk është, në njëfarë mënyre, do të lihet në harresë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara”.

“[Anëtarësimi i Kosovës në KE] do të ishte një sinjal që tregon se pozicioni i tyre po avancon në organizatat ndërkombëtare. Sigurisht, nuk do të mund të jenë pjesë e Kombeve të Bashkuara, tani për tani, por në këtë mënyrë po fitojnë poena dhe mbështetje nga një numër i konsiderueshëm i shteteve”, tha ai.

Anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, Popov e sheh edhe në të mirën e Serbisë.

“Ne do përfitonim nga anëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe UNESCO. Sepse kjo nënkupton që ata të sillen sipas rregullave të këtyre organizatave. Përmes sistemit të UNESCO-s, nuk do të mund të përdornin trashëgiminë e huaj kulturore dhe do të duhej të përkushtoheshin në ruajtjen e tempujve serbë, ndërsa përmes bashkëpunimit brenda Interpol-it, nuk do të mund të kishte vullnetarizëm për gjërat që kanë të bëjnë me hetime”, u shpreh më tej ai.

Përndryshe, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës është kundërshtuar rreptë nga Beogradi, të cilët kanë lajmëruar se do të “rinisin” fushatën e çnjohjeve të Kosovës nëpër botë.

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ditë më parë zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore