Lajme

Politikani boshnjak thirrje Schmidt-it: Shkarkoje Dodik-un, largoje nga politika


Muamer Zukiç

Kreu i Klubit boshnjak në Dhomën Federale të Popullit në Bosnje e Hercegovinë, Muamer Zukiç, i ka kërkuar Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Christian Schmidt, që ta shkarkojë presidentin ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH, Millorad Dodik, nga pozita e tij, pas veprimeve të tij destabilizuese atje.

“Përfaqësuesi i Lartë, si pjesë e rendit kushtetues dhe juridik të Bosnjës dhe Hercegovinës, duhet të përmbushë detyrën e tij dhe të mbrojë Marrëveshjen e Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995) dhe paqen në vend”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

“Kjo është kompetenca e tij kyçe dhe arsyeja e ekzistencës së saj si institucion. Në këtë moment e vetmja rrugë për këtë është shkarkimi i Dodik-ut dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt dhe përjashtimi i tyre nga jeta politike. Ne nuk i thërrasim ‘të huajt’ për ndihmë, por i drejtohemi institucionit që është pjesë e rregullimit kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës – institucionit të përfaqësuesit të lartë”.

Ndërsa, Zukiç thekson se edhe Prokuroria në BeH “mund të reagojë për shkak të keqpërdorimit të pozitës dhe tejkalimit të autorizimeve” nga ana e Dodik-ut.

“Por nuk mendoj se ende ekzistojnë të gjithë elementët e veprës penale të përmbysjes së rendit kushtetues dhe juridik. Sipas ligjit tonë penal, vepra penale e rrëzimit të rendit kushtetues-juridik ekziston vetëm në rastin e përdorimit të forcës apo kanosjes së forcës dhe përderisa kjo bëhet përmes parlamenteve dhe në mënyrë paqësore, akte të tilla kundërshtohen në procedura të tjera. por nuk janë vepër penale sipas nenit 156 të ligjit”, shpjegon ai.

Zukiç vlerëson se nëse kjo flluskë antishtetërore në RS do të shfryhej brenda natës nëse tre ose katër figura kyçe hiqen politikisht.

“Jam i sigurt se kjo flluskë antishtetërore në RS do të shfryhej brenda natës nëse tre ose katër figura kyçe do të hiqeshin politikisht. Institucioni i Përfaqësuesit të Lartë e ka bërë këtë në disa raste më parë. Në një ditë kanë ditur të shkarkojnë dhe ndalojnë veprimtarinë politike të më shumë se pesëdhjetë politikanëve, përfshirë anëtarë të kryesisë së shtetit, ministra, deputetë, kryetarë komunash etj”, përfundoi ai.

Ndryshe, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë, duke iu përgjigjur presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në BeH, Millorad Dodik, ka thënë se nëse veprimet e dikujt janë anti-serbe dhe kundër RS-së, atëherë janë ato të vetë Dodik-ut, duke shtuar se kryesia e Asamblesë Kombëtare të RS-së e ka fajin për veprimet antikushtetues dhe anti-Dejton (marrëveshja e vitit 1995, e cila i dha fund luftës në BeH) të Dodik-ut, pasi që të njëjtit po refuzojnë që t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese atje.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të BeH dhe do të vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës për veprimet e tyre individët e përfshirë në sjelljen kundër Dejtonit”, thuhet në deklaratën e ambasadës së ShBA-së, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.

Ndërkaq, ata vlerësojnë se Asambleja Kombëtare e RS-së, duke miratuar Ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH, sulmoi pamatur Marrëveshjes e Paqes që ishte arritur në Dejton, dhe Kushtetutën e BeH, e cila është pjesë përbërëse e saj.

“Asnjë sasi e retorikës politike apo dezinformimit nuk mund të ndryshojë faktin bazë që neni 3 i Kushtetutës së Dejtonit thotë qartë se Republika Srpska duhet të respektojë plotësisht vendimet e institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat përfshijnë vendimet përfundimtare dhe detyruese të Kushtetutës. Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës”, theksohet në deklaratë.

Tutje, ambasada e ShBA-së shtoi se RS “nuk mund ta anulojë në mënyrë të njëanshme këtë detyrim dhe as nuk mund të injorojë ligjërisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës”.

Ambasada amerikane deklaroi se serbët janë pjesë përbërëse e BeH-së multietnike dhe se ata kanë një rol në formësimin e institucioneve dhe të ardhmes së vendit, e cila është e përcaktuar edhe me Marrëveshjen e Dejtonit.

“Nëse Dodik pengon Asamblenë Kombëtare të RS të emërojë dy gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës, atëherë Gjykata do të marrë vendime pa dy gjyqtarë të zgjedhur nga RS”, potencuan ata.

Po ashtu, ambasada amerikane pohoi se veprime të tilla nga Dodik “do t’i privojnë banorët e Republikës Srpska nga një zë brenda institucionit shtetëror të parashikuar në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”.

“Dodik padyshim do të përsërisë pretendimet e tij banale dhe të rreme se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës dhe vendimet e saj janë të paligjshme, antiserbe apo kundër Republika Srpska, sepse në gjykatë nuk ka dy gjyqtarë nga RS”.

“Kjo është qartësisht hipokrite, duke pasur parasysh refuzimin e tij për të lejuar emërimin e gjyqtarëve të rinj nga RS në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës”.

Kujtojmë se më gjashtë janar të vitit 2022, Ministria e Financave e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se ka vendosur sanksionone ndaj sundimtarit ultranacionalist të Republika Srpska, Millorad Dodik. Po ashtu, sanksione kundër tij kishte vendosur edhe Britania e Madhe në prill të vitit 2022.

Ambasada amerikane në BeH: Nëse veprimet e dikujt janë anti-serbe, janë të Dodik-ut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore