Lajme

‘Politikanët evropianë kanë përgjegjësi morale për të trajtuar ndotjen e ajrit’


Në të gjithë Evropën, politikanët kanë një përgjegjësi morale për të trajtuar urgjentisht ajrin e ndotur të kontinentit.

Kështu ka thënë Maria Neira, drejtoreshë e departamentit të mjedisit, ndryshimeve klimatike dhe shëndetit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Një hetim i The Guardian ka zbuluar më herët se Evropa po përballet me një krizë të rëndë të shëndetit publik, me thuajse të gjithë në kontinent që jetojnë në zona me nivele të rrezikshme të ndotjes së ajrit.

Hetimi ka zbuluar se 98 për qind e njerëzve jetojnë në zona që tejkalojnë udhëzimet e OBSH-së për PM2.5.

Thuajse dy të tretat e njerëzve jetojnë me ndotje që është dyfishi i standardit të OBSH-së.

Neira ka thënë se politikanët duhet të veprojnë me shpejtësi për të reduktuar shkallën dhe ashpërsinë e ndotjes.

“Si mjek, nuk mund t’i rezistoj tundimit për t’u kujtuar njerëzve se kjo ka të bëjë me goditjet, sëmundjet e zemrës, astmën, kancerin e mushkërive, diabetin, peshën e ulët të lindjes, lindjet e parakohshme”, ka thënë ajo.

“Ne duhet t’u kujtojmë njerëzve se sa herë që merrni frymë, po thithni diçka toksike në trupin tuaj, e cila ka një ndikim shkatërrues”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, nuk do të ishte e pranueshme që 98 për qind e evropianëve të furnizohen me ujë të ndotur rrezikshëm dhe e njëjta gjë duhet të jetë e vërtetë për ajrin që thithin.

“Njerëzit thonë se udhëzimet tona janë shumë strikte dhe shumë ambicioze. Por nuk shoh ambicie në propozimin e diçkaje që do t’i bëjë kaq shumë njerëz më pak të sëmurë. Duke pasur njohuritë që kemi, mendoj se ka një përgjegjësi morale të qartë dhe absolute”, ka shtuar ajo.

Javën e kaluar Parlamenti Evropian votoi për miratimin e udhëzimeve të OBSH-së për PM2.5, por jo deri në vitin 2035.

“Ne i nxisim fuqimisht vendet të veprojnë me shpejtësi, duke pranuar se çdo ndryshim në nivelet e cilësisë së ajrit do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin publik, klimën dhe mjedisin. Vonesa e këtyre masave vendimtare do të ketë pasoja të rënda dhe të menjëhershme për mirëqenien e njerëzve dhe planetin”, ka shtuar Neira.

Ndërkaq, hetimi i The Guardian ka zbuluar se vendi më i goditur në Evropë është Maqedonia e Veriut, ku dy të tretat e njerëzve jetojnë në zona me më shumë se katër herë nivelet udhëzuese të OBSH-së të PM2.5.

Evropa Lindore është dukshëm më e keqe se ajo perëndimore, përveç Italisë, ku më shumë se një e treta e njerëzve që jetojnë në luginën e Po dhe zonat përreth thithin ajër që është katër herë më i ndotur se nivelet e udhëzimeve të OBSH-së.

Kurse në Mbretërinë e Bashkuar, tre të katërtat e popullsisë jetojnë në zona ku ekspozimi ndaj PM2.5 është nga një deri në dy herë më shumë se udhëzimi i OBSH-së.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore