Shqipëria

Policia “zbardh” zhdukjen e dy personave në Sarandë, 1 i arrestuar dhe 1 në kërkim


Policia e Shtetit ka parandaluar një ngjarje shumë të rëndë kriminale duke zbardhur njëkohësisht një tjetër ngjarje kriminale.

Autoritetet kanë arrestuar në flagrancë një 29-vjeçar me iniciale A. M., pasi u kap me dy çanta me lëndë plasëse artizanale (rreth 21.3 kilogramë), të montuara për shpërthim në distancë dhe me bidona me lëndë djegëse (benzinë).

Së bashku me një 25-vjeçar të shpallur në kërkim nga Policia, ata janë të dyshuar dhe për rrëmbimin e shtetasve Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit, të kryer në Sarandë, më 9 prill.

Mega-operacioni u regjistrua në aksin rrugor “Mbrostar-Fier”, dhe u krye nga shërbimet e Forcës se Posaçme Operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier.

Nga kontrolli i zonës ku u kap 29-vjeçari, u gjet një tjetër automjet në brendësi të të cilit ishin tre bidona me lëndë djegëse benzinë.

“Nga veprimet hetimore rezulton se 29-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasit A. M., 27 vjeç, banues në Dibër dhe E. C., 25 vjeç, banues në Tiranë (të cilët u shpallën në kërkim), i kishin siguruar këto kushte dhe mjete, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale”, sqaron Policia e Shtetit.

Për shtetasit A. M. dhe S. L., Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar të mërkurën e 30 gushtit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” .

Autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të të dyja rasteve, kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këto dy raste, vëren Policia.

Zhdukja e Thodhorit dhe Sulovarit, Rrumbullaku shkon në Policinë e Sarandës

Zhdukja e dy personave në Sarandë, të afërmit protestojnë përpara Policisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore