Lajme

Policia: Stacioni në Zubin Potok në shërbim të qytetarëve pa dallim, s’ka të bëjë me atë që spekulojnë parti serbe


Policia e Kosovës

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka reaguar pas kundërshtimeve nga Lista Serbe në lidhje me ndërtimin e Stacionit Policor në Zubin Potok – komunë e banuar me shumicë serbe – duke thënë se stacioni aktual që përdoret nga policia është një objekt privat, i cili nuk i plotëson kushtet për të ofruar shërbime, dhe se ndërtimi i të riut ka për qëllim që të t’i shërbej të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Stacioni Policor në Zubin Potok është i vendosur në një objekt privat, me qira dhe i cili objekt nuk ka plotësuar kushtet për ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe për punë të zyrtarëve policorë të rendit. Kështu, Policia e Kosovës me kohë ka filluar procedurat për përmirësimin e infrastrukturës (ndërtimin e një objekti të ri) në Zubin Potok”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit – e kanë kundërshtuar vendimin për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok, madje kanë pretenduar se një veprim i tillë “synon të krijojë tensione shtesë dhe përshkallëzim të situatës në Veri të Kosovës”.

Udhëheqësit e Listës Serbe

Nga ana tjetër nga policia kanë thënë se në kuadër të vizionit e misionit të tyre, ata kanë për qëllim ruajtjen e rendit kushtetues dhe sigurimin e rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim, duke hedhur poshtë kështu pretendimet e Listës Serbe.

“Stacioni Policor dhe zyrtarët policorë që do të punojnë aty (Zubin Potok), do t’i shërbejnë tërë komunitetit që jeton në atë zonë dhe nuk ka të bëjë me qëllime tjera siç spekulohet nga individ apo subjekte politike serbe”, thonë nga policia.

Tutje, nga ky institucion kanë theksuar se ndër objektivat strategjike që ka për qëllim edhe krijimin e kushteve dhe ofrimin e shërbimeve sa më të mira dhe më të lehta ndaj qytetarëve

“Po ashtu, për të qenë sa më afër qytetarëve, ka planifikuar edhe rregullimin e infrastrukturës e cila do të shërbejë për ofrim të shërbimeve sa më efikase e komode për qytetarët”.

Edhe sa i përket proceduarave të ndërtimit të objektit të Stacionit Policor në Zubin Potok, nga policia kanë bërë të ditur se janë ndjekur të gjitha hapat e duhur procedural e ligjor.

“Vendimi përfundimtar i shpronësimit nr. 05/28 , datë 05.02.2018, – pronë shoqërore; Lëshimi i kushteve ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit KK Zubin Potok dt. 03.12.2020”, tregojnë nga PK.

“Më 11.05.2022 – pranimi i njoftimit nga komuna Zubin Potok për plotësim të dokumentacionit për regjistrim të pronës në emër të Policisë së Kosovës, komfor vendimit të Qeverisë si dhe pëlqimi për qasje në rrugë, Certifikata e pronësisë P- 72908055-01305-0”.

“Pas bartjes së pronës në emër të PK-së,  është lëshuar edhe Vendimi për qasje në rrugë dt. 19.08.2022 nr. 112/2022; Me datë 23.10.023 PK-ja është pajisur me Leje ndërtimore, për ndërtimin e objektit sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar me datë 10.12.2021 mes PK-së  dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil për projektin”.

Lista Serbe: Kurti po do prapë tensione në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore