Lajme

Lista Serbe: Kurti po do prapë tensione në Veri


Lista Serbe, përmes një komunikate për media, ka reaguar ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për të ndërtuar një stacion të ri policor në Zubin Potok.

Sipas tyre, njoftimi për ndërtimin e një stacioni policor afër shkollës fillore “Jovan Cvijiç”, në komunën e Zubin Potokut, përpos që është e paligjshme, ka shkaktuar pakënaqësi në mesin e serbëve në Veri të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, ky vendim, sipas pretendimeve të Listës Serbe, synon të krijojë tensione shtesë dhe përshkallëzim të situatës në Veri të Kosovës duke injoruar kështu thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për de-eskalim dhe zbatimin e marrëveshjes për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Veton Elshani, Zëvendës-drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, ka thënë se vendimi për ndërtimin e stacionit në këtë lokacion është marrë qysh në vitin 2018, ndërsa vetëm tash është miratuar nisja e punimeve.

Elshani ndër të tjera ka theksuar se deri më tani Policia e Kosovës ka shfrytëzuar një shtëpi private si stacion.

“Kemi marrë miratimin që të fillojmë të ndërtojmë tani, përndryshe vendimi është marrë më herët”, ka thënë Elshani duke konfirmuar se aty fillimisht do të vendosen kontejnerët e policisë.

Megjithatë me këtë konstatim të Elshanit, nuk është pajtuar Lista Serbe, meqë sipas pretendimeve të tyre një vendim i tillë nuk ekziston.

“Kurti po publikon informacione të rreme për ekzistimin e një vendimi të vitit 2018 për ndërtimin e një stacioni policor, sepse një vendim i tillë nuk është dorëzuar asnjëherë në pushtetin vendor dhe as nuk është kërkuar pëlqimi apo leja e duhur”, pretendon Lista Serbe.

Lista Serbe ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për të, sipas tyre, frenuar Kurti duke parandaluar përshkallëzimin e situatës në terren.

Nis ndërtimi i një stacioni policor në Zubin Potok, serbët paralajmërojnë protesta

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore