Shqipëria

Policia sekuestron 20 kamera të tjera të paligjshme sigurie


Autoritetet shqiptare kanë sekuestruar edhe 20 kamera të tjera sigurie në kuadër të fazës së 13-të të operacionit “Fijet”.

Kamerat e sekuestruara ishin të instaluara në kundërshtim me ligjin, në Tiranë, Durrës, Dibër dhe Korçë.

Njoftimi zyrtar i policisë bën me dije se tetë shtetas u vunë në hetim, për cenim të privatësisë dhe për të dokumentuar ligjërisht qëllimin përse ata i kishin instaluar këto kamera.

Pas më shumë se një muaji, autoritetet kanë sekuestruar 548 kamera dhe shkon në 116 numri i shtetasve nën hetim.

Nga ana e autoriteteve është bërë e ditur se pjesë e goditjes së operacionit janë bërë të gjitha kamerat të cilat nuk janë në përputhje me ligjin.

Pra, si ato që janë nga subjekte që kapërcejnë fuqinë e ligjit, apo nuk kanë marrë vërtetimin e sigurisë, apo e kalojnë perimetrin ku mund ta vendosin kamerën, pra subjekte private që futen në hapësirën publike.

Sistemet televizive me qark të mbyllur (CCTV) kanë qenë subjekt i komploteve të panumërta kriminale.

Konflikti midis të drejtave është po aq i njohur sa termi Big Brother.

Sepse kontrollimi i një numri të madh njerëzish përmes regjistrimeve audio ose imazheve është bërë një dukuri e përditshme.

CCTV-ja e parë u instalua në Gjermani në vitin 1942.

I projektuar nga inxhinieri Walter Bruch, ai u përdor për qëllime ushtarake për të kontrolluar raketat famëkeqe V-2, të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore për të bombarduar Londrën.

Tetëdhjetë vjet më vonë, numri i kamerave të vëzhgimit tejkalon 1 miliard në mbarë botën.

Qytetet në Indi dhe Kinë kryesojnë listën e qyteteve në botë me më shumë kamera vëzhgimi CCTV.

Kush vëzhgon, çfarë vëzhgon?!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore