Lajme

Policia: Një dokument i falsifikuar po qarkullon në e-maila – s’na përket neve


Policia e Kosovës ka njoftuar se është shpërndarë një dokument i falsifikuar me informacione të ndryshme, që gjoja se i përket Policisë dhe kinse është lëshuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë.

“Shpërndarja e këtyre e-mailave, kinse janë e-maila zyrtarë të lëshuar në emër të PK-së, i cili përmban logo të PK-së, logo qeveritare, vula të ndryshme dhe një mbishkrim të EUROPOL-it, kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për veprime ligjore, nuk është dokument zyrtar i Policisë së Kosovës, e aq më pak i lëshuara nga drejtori i PK-së, por janë e-maila me dokument të falsifikuar për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, janë përdorur informacione dhe logo të ndryshme, por e ri potencojmë se nuk është dokument zyrtar e as nuk përmban informacione zyrtare, nuk është formati dhe shkrimi zyrtar i PK-së, si dhe nuk është lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mailave/dokumentit të tillë, ka filluar hetimet intensive duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”.

Po ashtu organet e rendit kanë ftuar qytetarët që të mos bien pre e dezinformacioneve e mashtrimeve të tilla, dhe kushdo që mund të pranoj ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të Policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore