Shqipëria

Policia e Shtetit publikon planin e masave për zgjedhjet e 6 marsit


Policia e Shtetit ka publikuar masat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 6 marsit.

Drejtori i Rendit Publik, Ylli Vasili, ka treguar se këtë të premte të 4 marsit do të përfundojë edhe shoqërimi nga strukturat policore i materialeve zgjedhore.

Lëvizje kjo nga Tirana në drejtim të 13 KZAZ-ve në të gjithë bashkitë, ku do të zhvillohen zgjedhjet vendore.

Sakaq, për monitorimin e procesit zgjedhor do të jetë në detyrë 1 mijë e 297 punonjës policie.

Ata do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas hierarkisë së menaxhimit policor, deri te niveli bazë i veprimit policor.

“Policia e Shtetit, deri në datën 03.03.2022, ka angazhuar 780 punonjës policie dhe ka garantuar 335 aktivitete elektorale të zhvilluara gjatë fushatës”, ka treguar drejtori.

Po ashtu ka treguar se “deri tani nuk është evidentuar asnjë problem”.

Sakaq, për sigurimin e 941 Qendrave të Votimit dhe 13 KZAZ / VNV-ve janë bërë përllogaritjet e punonjësve të policisë, për transportimin me automjete, pajisje, armatim deri te votimi i tyre si shtetas të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu janë “prodhuar dhe dorëzuar në afat vulat e kërkuara nga KQZ, për KZAZ, QV, VNV”.

Zgjedhjet e 6 marsit

Zgjedhjet do të mbahen në 6 bashki, atë të Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Lushnjës, Vorës dhe Rrogozhinës.

Konkretisht Partia Socialiste, do të garojë zyrtarisht në zgjedhje me kryetarët aktualë të Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako dhe të Lushnjës, Eriselda Sefa.

Si dhe Majlinda Angoni për Bashkinë e Shkodrës.

Partia Demokraike kandidon me Xhemal Bushatin në Bashkinë Shkodër, me Luan Hotin në Durrës, në Dibër kandidon Luan Hakën, Rrogozhinë me Ferdinand Saraçi dhe në Vorë me Ymer Marku.

Nga ana tjetër, kandidatët e koalicionit “ Shtëpia e Lirisë” –  ku bëjnë pjesë kandidatët e Grupit të Rithemelimit të Sali Berishës – janë Bardh Spahia për Bashkinë Shkodër, Ardian Muka në Durrës, Eton Bano në Lushnjë, Premtim Kryemadhi në Dibër, Hekuran Xhani në Rrogozhinë dhe Lulzim Vrana në Vorë.

Më 2 shkurt Celibashi ka regjistruar partitë kryesore – Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Si dhe partitë e vogla – Partia Demokristiane, Lëvizja e Re, Fryma e Re Demokratike, Partia Kristian Demokrate, Partia e Reformave Demokratike të Shqipërisë, Bashkimi Demokrat, Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar.

Nga ana tjetër kujtojmë që koalicioni “Shtëpia e Lirisë” është regjistruar nga Celibashi – midis Lëvizjes Socialiste për Integrim, Komisionit të Rithemelimit dhe Partisë Demokristiane.

Mirëpo, në letër, fraksioni i Berishës brenda Partisë Demokratike, nuk do të jetë pjesë e koalicionit.

Nën argumentimin se simbolet e PD-së, nuk mund të përdoren përveçse nga Partia Demokratike. Pra, Komisioni i Rithemelimit, de jure nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve, por de facto po.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore