Lajme

Policia e Kosovës pranon 7 dronë nga SHBA-ja


Policia e Kosovës dhe ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier gjatë pranimit të dronëve.

Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor (IPK), kanë pranuar donacion 7 dronë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), në një ceremoni të organizuar të mërkurën e 11 tetorit.

Gjatë fjalimit të tij, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka falënderuar SHBA-në për furnzim dhe për mbështetje, duke theksuar përkrahjen e SHBA-së veçanërisht gjatë ditëve kur humbën rreshterin tashmë heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Në veçanti gjatë ditëve kur kemi humbur njërin nga rreshterët tanë”.

Ndërsa e ka cilësuar jashtëzakonisht të nevojshme dhe të çmueshëm donacionin nga SHBA-ja.

“Do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve të Policisë. Po ashtu edhe në monitorimin e kufijve dhe hetime. Janë dronë dhe pajisje që janë përzgjedhur dhe selektuar nga ekspertët e Policisë së Kosovës”.

“Unë mund të garantoj ambasadorin (Jeffrey Hovenier, SHBA), që Policia të gjitha këto pajisje do t’i përdorë për qëllime të ligjshme në mënyrë që të sigurojë shërbime më kualitative për të gjithë qytetarët”, ka thënë Hoxha.

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, fluturaket e pranuar i ka cilësuar “burim jetik” për organet e zbatimit të ligjit në Kosovë.

“Sigurojnë mbikëqyrje dhe ofrojnë mbështetje taktike për misionet policore”, ka thënë ai duke shtuar se mund të përdoren “për të luftuar kontrabandimin e migrantëve, narkotikëve e të tjera”.

Po ashtu, ka pohuar se donacioni i fundit është vazhdimësi e qëndrimit mbështetës të SHBA-së për Kosovën.

Më 1 gusht, Policia e Kosovës kishte pranuar edhe donacion për kamerat e trupit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore