Lajme

Policia e Kosovës parandalon një rast të kontrabandës me emigrantë nga Bangladeshi


Emigrantët nga Bangladeshi

Policia e Kosovës, në orët e hershme të së premtes ka parandaluar një rast të kontrabandës me emigrantë.

Kështu të paktën thuhet në komunikatën për media të Policisë së Kosovës, e cila më tej njofton se kontrabanda me emigrant ka përfshirë pesë persona meshkuj, shtetas të Bangladeshit, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Kosovë me qëllim emigrimin në shtetet e perëndimit.

“Patrulla policore nga Stacioni për Mbikëqyrjen e Kufirit-Vërmicë, mbrëmë rreth orës 23:40, gjatë vëzhgimit të terrenit ka vërejtur disa lëvizje të dyshimta të disa personave nga pjesa malore që vjen nga Republika e Shqipërisë në drejtim të Republikës së Kosovës, kryesisht nga pjesa e ‘Folesë së Shqiponjës’”, njofton komunikata.

“Gjatë vëzhgimit, janë vërejtur pesë persona të cilët nga pjesa e malit, zbrisnin në  drejtim të autostradës ku po i priste një veturë TAXI me targa vendore”.

Policia e Kosovës, vazhdon komunikata, ka arritur të ndalojë këtë transport duke intervistuar drejtuesin e automjetit, i cili ka deklaruar se kishte qëllim që pesë emigrantët t’i dërgonte deri në Prishtinë.

“Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, është iniciuar rasti, me aktvendim nga prokurori i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë,  kurse emigrantët dërgohen në Qendrën e Azilit, ndaj të cilëve do të vazhdohet me procedurat e parapara për raste të tilla”.

Vetura e ndaluar nga Policia e Kosovës, që kishte për synim kontrabandimin e emigrantëve nga Bangladeshi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore