Kosova

Policia e Kosovës: Festa e ‘Vidovdanit’ kalon pa incidente madhore


policia e Kosovës, në Gazimestan për festën e "Vidovdan-it"

Manifestimi tradicional i festës së “Vidovdan-it”, ka kaluar pa incidente madhore.

Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, në të cilën thuhet se me kohë policia kishte përgatitur planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë.

“Policia e Kosovës, përveç ndërmarrjes së masave dhe planifikimeve operacionale, kishte përgatitur një fletushkë informuese për qytetarët (në gjuhën shqipe dhe serbe), për t’i informuar mbi të drejtat dhe interesat e qytetarëve përgjatë manifestimit, mbi masat, procedurat ligjore dhe angazhimet policore, si dhe për zbatimin e masave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHP-së në këtë kohë pandemie”, ka deklaruar policia.

Në bazë të të dhënave nga terreni, policia ka regjistruar rreth dy mijë persona të cilët morrën pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan, me rastin e festës me karakter religjioz.

Po ashtu, në këtë njoftim thuhet se gjatë manifestimeve policia ka ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor një person të dyshuar për vepër penale “nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.

“Gjatë manifestimit zyrtarët policorë kanë vërejtur disa pjesëmarrës të cilët kanë pasur të veshur fanella me mbishkrime provokuese, andaj me qëllim të shmangies së ndonjë keqkuptimi apo incidenti të mundshëm, fanellat e tilla të ekspozuara në automjete dhe të veshura iu janë larguar”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, gjatë kontrollimit dhe verifikimit në lokacione të ndryshme, Policia e Kosovës, ka gjetur dhe sekuestruar disa mjete të mprehta, thika dhe një boks hekuri.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetentë ka hapur rastet për ’Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike’’, vijon njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore