Lajme

Polici i plagosur në Veri jashtë rrezikut për jetë, do t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik në QKUK


Policia e Kosovës.

Polici i cili mbeti i plagosur në Veri të Mitrovicës në orën e 23-të të së enjtes, vetëm 60 minuta para mesnate, është jashtë rrezikut për jetë.

Lajmin për gjendjen shëndetësore të tij e ka bërë të ditur drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Luljeta Zhubi për Albanian Post.

“Polici i cili ka qenë i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Lëndimet e tij janë në shpatull për çka edhe do të transferohet në Prishtinë për t’iu nënshtruar një intervenimi kirurgjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, deklaroi Zhubi për AP.

Në njoftimin e policisë në orën e parë të së premtes, thuhej se “njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata”.

Armët u shkrepën nga një automjet i tipit AUDI, ngjyrë hiri, me targa ilegale “KM”.

Njoftimi tregonte se një polic ishte plagosur, por pa detaje të tjera.

Policia e Kosovës në Veri

Albanian Post ka mësuar nga burimet brenda Policisë së Kosovës, se polici i plagosur i takon grupit të Njësisë për Reagimin e Shpejtë.

Nga të njëjtat burime po ashtu bëhet e ditur për AP se plagosja ka ndodhur në krahë.

Më pas, nga xhami i dërrmuara nga breshëria, copëza të vogla kanë goditur edhe në kokë policin, më saktësisht në pjesën e veshëve.

“Ka të çara dhe gërvishtje te pjesa e veshit”, pohoi burimi.

Vetura e NjRSH-së u sulmua nga persona me maska, të cilët u panë nga policia edhe në vende të tjera duke vëzhguar, si te “Lagjja e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut.

Polici i plagosur, përkundër lëndimeve, është jashtë rrezikut për jetën, thonë burime e AP-së.

Pas sulmit, dhe dërgimit të të plagosurit në spital për trajtim të mëtejshëm, një grup tjetër i policisë është dërguar për të tërhequr veturën.

Detaje ekskluzive – Si u plagos polici i Kosovës në Veri?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore