Gjykata Speciale

“Po marr mesazhe kërcënuese kur po flas për UÇK-në”, prokuroria përdorë deklaratat e Rron Gjinovcit për t’ua vazhduar paraburgimin Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit


Deklaratat e analistit Rron Gjinovci të bëra në emisionin Konfront në televizionin KTV janë marrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar si një nga argumentet pse duhet t’u vazhdohet paraburgimi Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit të akuzuar për krime lufte.

Në parashtrimin e Prokurorisë citohet Gjinovci në emision duke folur për “terrorin” ndaj fjalës së lirë në Kosovë.

Prokuroria thotë se Gjinovci “i ftuari vazhdoi të tregojë reagimet ndaj një videoje që ai kishte postuar së fundmi në internet, e cila kishte marrë mbi 1400 komente, shumica e të cilave ishin negative, dhe shumë prej të cilave e etiketonin atë me termat e mësipërm, disa shkuan deri aty sa e kërcënon fizikisht”.

“Teksa po flas, në telefonin tim po marr mesazhe kërcënuese, fyese në llogaritë e mia në rrjetet sociale”, thotë Gjinovci në emision.

Megjithatë, ai thotë se “nuk është se jam frikësuar ndonjëherë, por kjo tregon se ka një terror mbi popullin e Kosovës për këtë çështje”.

Ndryshe, janë 14 faqe të përkthyera nga organi i akuzës ku Gjinovci flet për “klimën e frikësimit” dhe për kërcënimet që ka pranuar lidhur me disa video që publikonte në Facebook.

Tri ditë Speciale – krejt çka ndodhi

Gjyqi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, nisi më 3 prill pas më shumë se 2 vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Për tri ditë palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse për rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Me gjithë përpjekjet e Prokurorisë së Specializuar për të thënë se ky proces është ndaj individëve dhe jo ndaj UÇK-së, ajo demantohet me pikën 35 të aktakuzës – e cila i portretizon si anëtarë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” pothuajse të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore