Lajme

Planifikohet ndërtimi i një burgu të ri për rajonin e Dukagjinit, dy të tjerë do të mbyllen


Foto nga Asocciated Press/Sylejman Kllokoqi.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka bërë të ditur se dy burgje do të mbyllen në vitin 2024.

Dibrani, ka sqaruar se burgjet të cilat do të mbyllen do të jenë ai i Pejës dhe i Prizrenit.

“Ne kemi dy burgje të cilat nuk i plotësojnë standardet më të mira evropiane për të funksionuar. Është burgu i Pejës dhe burgu i Prizrenit për shkak të vjetërsisë dhe infrastruktura nuk i plotëson kriteret apo nevojat të cilat i kemi si shërbim”.

Ai ka pohuar se janë duke planifikuar që të ndërtojnë një burg të ri për rajonin e Dukagjinit.

“Ne kemi vendosur që këto dy burgje të mbyllen dhe të ndërtohet një burg i ri i cili i shërben të gjithë rajonit të Dukagjinit, përfshirë Gjakovën, Sukarekën, Prizrenin, Rahovecin, Ferizaj, Shtimen sepse nuk do të jetë vetëm qendër e paraburgimit, ku do të jetë edhe qendër korrektuese, në një masë do ta lehtësojë edhe Burgun e Dubravës, sepse familjarët nga vise të ndryshme, vise të largëta të Kosovës do ta kenë më të lehtë vizitimin e tyre në burgun e Prizrenit”.

Ndërsa, potencoi se do të ndërtohet edhe burgu i grave që sipas tij do të jetë me “standardet më të larta”, ku do të ketë edhe ndarje të veçantë.

Për vitin 2023, ai deklaroi se janë realizuar shumë projekte të ngritjes profesionale të stafit, përmirësimit të infrastrukturës por edhe themelimin e Institutit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta.

Po ashtu, ka përmendur edhe hapjen e konkursit ‘vetëm gra’, ku janë punësuar 50 oficere korrektuese.

Prioritetet për vitin 2024 për drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës janë kompletimi i infrastrukturës, ndërtimi i burgjeve të reja, renovimi i burgjeve të vjetra dhe ngritja profesionale e stafit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore