Kosova

Plani i Rritjes së BE-së kushtëzohet nga mos-bllokimi i fqinjëve në proces, thotë Koopman


Gert Jan Koopman

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), Gert Jan Koopman, deklaroi se asnjë vend nuk do të mund të përfitojë nga plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor në rast se njëri vend bllokon tjetrin në rrugën e integrimeve evropiane.

“Ne do t’iu ndihmojmë në integrimin rajonal, para integrimit në tregun e përbashkët. Konsideroj se pa integrim rajonal thjeshtë nuk mund të shfrytëzohen leverditë e tregut të përbashkët të BE-së. Prandaj kusht në këtë pjesë të planit të rritjes është mos-bllokimi i fqinjëve. Mund të bllokoni vetveten nëse bllokoni fqinjët”, tha Koopman në samitin e liderëve.

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur këtë të hënë (22 janar) në kryeqytetin maqedonas për të diskutuar mbi të ardhmen e politikës së zgjerimit të BE-së dhe planin e rritjes ekonomike prej 6 miliardë euro të Komisionit Evropian (KE) për vendet e Ballkanit Perëndimor – një paketë madhore e asistencës financiare për periudhën 2024-2027.

Në Shkup janë ftuar edhe përfaqësues të organizatave rajonale (RCC) dhe institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare për bashkëpunim, përfshirë përfaqësues të Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, nisi konferencën e liderëve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa përveç kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pjesëmarrës janë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kurse prezent është edhe James O’Brien, Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë.

O’Brien: Në këtë proces askush nuk do të bllokojë tjetrin për avancim, kush e bën do ketë pasoja

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore