Lajme

Plakiqi: Kosova ka fonde shëndetësore në vlerë prej 1.4 milionë euro


Drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.

Drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi, deklaroi në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale se Kosova ka fonde të pashfrytëzuara në vlerë prej 1.4 milionë euro.

Plakiqi, bëri të ditur se ka shumë borxhe, por se Fondi ka rreth 2 milionë euro para të gatshme në llogari për t’i paguar ato.

“1.4 milionë euro është vlera e fondeve të pashfrytëzuara. Shumica e institucioneve me të cilat bashkëpunojmë janë vendore. Jemi duke punuar edhe me 48 institucione të jashtme në Maqedoni dhe Turqi. Kemi borxhe potenciale, rreth 2 milionë euro i kemi para të gatshme në llogari për pagesë. Por, nuk kemi asnjë vendim nga institucionet shëndetësore për t’i paguar borxhet”, delaroi Plakiqi.

Drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.

Ndërsa, drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi, ka thënë se është shqetësuese për shëndetësinë ikja e strafit shëndetësor jashtë vendit.

Krasniqi, theksoi se të punësuar në SHSKUK janë 7 mijë e 430 punëtorë shëndetësor.

“Ne kemi pasur plan konkret, me 8 objektiva dhe me 50 aktivitete. 33 aktivitete i kemi realizuar në tersi. Diku 85 për qind e kemi realizuar planin e punës. Specifikisht i kemi kushtuar vëmendje investimit dhe avancimit të shërbimeve. Sfida kryesore ka të bëjë me stafin, se që nga vitit 2019 edhe në qarkoren buxhetore numri i lejuar të punësuar në SHSKUK është 7430 punëtorë shëndetësorë. Kemi funksionalizuar spitalin pediatrik”.

Pavarësisht ikjes së mjekëve, drejtori i SHSKUK-së, konsideron se pacientëve do t’u lehtësohet qasja përmes klinikave të reja.

“Sa i përket ikjes së mjekëve nga emergjenca, infektolog posa kemi informata se kemi specialistë e shohim nëse kemi vende të lira hapim konkurs. Ne kemi themeluar klinikë të re me numër të stafit të njëjtë. Pacientëve duhet t’iu lehtësohet qasja në shërbime”, tha Krasniqi.

Sa i përket furnizimit me barna, telashe është duke shkaktuar Bordi i Organit Shqyrtues i Prokurimit.

“Kam kërkuar analizë dhe pres brenda kësaj jave të nisim procedura për kontraktimin e një kompanie që të mos përsëriten vërshimet në klinikë. Ne do të bëjmë zgjidhje përmes ndonjë kompanie që merret me trajtimin e këtyre çështjeve. Ne kemi raportet edhe për numër të pacientëve. Ne i marrim i analizojmë dhe këto kërkesa dhe i kthejmë për investime”.

“Nga korriku 2020 fokusi ka qenë menaxhimi i pandemisë. Nuk ka më pak barna por më shumë. Sfidat kryesore ka qenë mungesa e Organit Shqyrtues të Prokurimit, sepse janë mbi 300 lloje të barna”, tha tutje Krasniqi.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu deklaroi se gjendja në shëndetësi është e rëndë edhe si pasojë e mos rritjes së pagës.

“Sot ShSKUK-ja ofron shërbime më pak, mjekët po na ikin nga Kosova. Drejtorët e klinikave kryetarja e bordit ka shpërndarë pyetje a jeni në dijeni. 7 anesteziolog e kanë lëshuar punën a është pasojë e mos rritjes pagave. Sa para shpenzohen për aparatura”, tha ajo.

Më 4 korrik, Qeveria e Kosovës ka miratuar përbërjen e re të Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Emrat e propozuar nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, kanë qenë: Dafina Gexha-Bunjaku nga Ministria e Shëndetësisë, Ahmet Ismaili e Klit Shala nga Ministria e Financave, Kastriot Meqa nga Oda e Mjekëve, Agreta Gecaj-Gashi nga SHSKUK-ja dhe Muhamedali Kodra nga Shoqata e Pacientëve.

Fordi i Sigurimeve Shëndetësore që nga marsi i 2022-s nuk ka pasur bord funksional.

Ligji për Sigurimin Shëndetësor rregullon përbërjen e bordit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Kur pushteti është ndërruar, vendimi për përbërje të Bordit nuk është reviduar, gjë që ka bërë që vendimmarrja të mbetet e paralizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore