Lajme

Plagosja e dy të rinjve në Shtërpcë, i përfshirë një ushtar i FSK’së – Ministri Mehaj thotë se do merren masa


Armend Mehaj

Në plagosjen e dy të rinjve (11 dhe 31 vjeçar) në Komunën e Shtërpcës është i përfshirë edhe një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Njoftimin e ka dhënë vetë ministri i FSK-së, Armend Mehaj.

“Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka shprehur “keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë”, derisa  “të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë”.

Përkundër se raste si ky i sotmi Mehaj tha se “janë të izoluara”, sërish, , si të tilla “nuk guxojnë të ndodhin”.

“Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim”, shkruan në fund Mehaj.

Dy persona kanë mbetur të plagosur në fshatin Drajkovc të Shtërpcës mesditën e së premtes.

Dyshohet se ata janë gjuajtur me armë zjarri nga një automjet në lëvizje që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt ku ka mbetur i plagosur një11-vjeçar dhe po ashtu një 31-vjeçar.

“Dy të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në qytetin e Graçanicës”, tregoi në njoftim policia.

Më vonë, Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, njoftoi se i dyshuar për plagosjen e dy personave në Shtërpcë është arrestuar.

“Policia Rajonale e Ferizajt, pas një pune intenzive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin A.K (M/K) i moshës 33 vjeçar”, thuhet në komunikatë.

Siç zakonisht ndodhë, në Serbi rastit i kanë dhënë ngjyrime politike. Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç, ka deklaruar se “serbët janë qëlluar nga një shqiptar”, derisa pohoi se qëllimi ishte “të na japin Krishtlindje të përgjakshme”.

Në anën tjetër, kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që fajtorët të sjellën para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore