Shqipëria

Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore 2023 ishte 37.79%


Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve zbuloi se pjesëmarrja në votime për zgjedhjet vendore të 14 majit është 37.79 për qind.

Kjo, duke iu referuar 3 mijë e 619 Qendrave të Votimit nga 5 mijë e 213 në total.

Kujtojmë që në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 kjo shifër ishte 48.59 për qind.

Kanë qenë 984 mijë e 623 zgjedhës të cilët kanë ushtruar të drejtën e tyre në kutitë e votimit për 61 bashkitë e vendit.

Më herët, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi zbuloi se 34.37 për qind është pjesëmarrja në 4 mijë qendra votimi që kanë raportuar përmes identifikimit elektronik.

“Kemi konstatuar se në 11 për qind të Qendrave të Votimit janë hasur vështirësi në gjetjen e qendrës së votimit. Kemi konstatuar se në 62 Qendra Votimi nga 5 mijë e 213 në total ka pasur shkelje për materiale propagandistike në një distancë prej 150 metra”, vuri në dukje kryekomisioneri.

Ai shtoi se ka pasur një pezullim për procesin e votimit në 40 Qendra Votimi.

Sipas tij, ky është numër shumë i vogël nga sa “është propaganduar dhe është paraqitur si shqetësim”.

“Për 30 Qendra Votimi është raportuar votim në grup, në katër raste kemi marrë raportim për votim jashtë dhomës së fshehtësisë. Në 10 për qind është përdorur lista në mënyrë manuale”, vijoi Celibashi.

I gjithë procesi është shoqëruar nga problematika të lidhura me identifikimin elektronik, votimin familjar dhe intimidimin e zgjedhësve e cila u denoncua nga partitë politike.

Pjesëmarrja tepër e ulët ishte edhe kryefjala e ditës së votimit për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore