Lajme

Pisonero për Albanian Post: E ardhmja e Ballkanit është pa diskutim në BE


Ana Pisonero, Zëdhënëse për shtyp e Bashkimit Evropian

“Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një prioritet dhe mbështetja për t’u bashkuar me BE-në është e madhe në Ballkan”.

Kështu i është përgjigjur zëdhënësja për shtyp e BE-së, Ana Pisonero, interesimit të Albanian Post mbi rënien e besimit të rajonit të Ballkanit ndaj BE-së, sipas një raporti të Bankës Qendrore Austriake.

Sipas këtij raporti, gjysma e shqiptarëve nuk besojnë më në BE. Rënie në fakt shihet për gjithë rajonin e Ballkanit, me përjashtim të vendeve të cilat janë tashmë anëtare.

“Ne i vlerësojmë studimet dhe anketimet mbi këto çështje madhore”, nënvizon Pisonero. “Vitet e fundit janë shënjuar nga vështirësitë sociale dhe ekonomike që na është dashur të përballojmë. Fillimisht, për shkak të krizës ekonomike të vitit 2018 dhe më pas për shkak të pandemisë Covid-19”.

Ndër të tjera, Pisonero ka ritheksuar faktin se “BE-ja është aleati kryesor i Ballkanit Perëndimor, e ardhmja e të cilit është pa diskutim në BE”.

“Zgjerimi i unionit është pa diskutim shndërrues, duke vënë në lëvizje reforma që përmirësojnë demokracinë, fuqinë e ligjit dhe të drejtat themelore. Liria e medias, ashtu si edhe siguria dhe prosperiteti preken gjithashtu nga aderimi në BE”.

Sipas Pisoneros, agjenda e reformave është e rëndësishme për rrugën drejt unionit. Më me rëndësi ndërkohë sipas saj, janë reformat mbi modernizimin e rajonit dhe përmirësimin e jetës së njerëzve.

Më tej, zëdhënësja për shtyp ka sjellë sërish në kujtesë ndihmën që Evropa i ka dhënë Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit.

“BE-ja ka vërtetuar se është aleati kryesor i Shqipërisë dhe i rajonit. Mbështetja jonë pas pandemisë ka qenë jetësore. 3.3 miliardë euro janë dhënë si ndihmë urgjente. Në tetor ndërkohë është dhënë një paketë investimesh prej 9 miliardë euro-sh”.

“BE-ja do të qëndrojë pranë qytetarëve shqiptarë dhe gjithë Ballkanit”, përmbylli Pisonero.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore