Shqipëria

Piktori Agim Sulaj merr çmim në Portugali për vizatimet humoriste


Piktori dhe karikaturisti shqiptar, Agim Sulaj, i cili prej vitesh jeton në Rimini (Itali) numëron me dhjetëra çmime ndërkombëtare, për kompozimet dhe projektet.

Ndonëse jeton në Rimini, ai ka një galeri në Tiranë, ku ekspozon gjithnjë veprat e veta.

Së fundmi, në ceremoninë e “World Press Cartoon” të zhvilluar në Portugali, Sulaj arriti vendin e dytë në kategorinë e vizatimeve humoristike.

Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari dhe Luksemburg.

Në moshën 19-vjeçare, Agim Sulaj do të fitonte çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”.

Në vitin 1985, diplomohet në Universitetin e Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon në revistën “Hosteni”, e vetmja revistë satirike e kohës.

Në vitin 1990, në Ankara të Turqisë me veprën e tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”.

Në vitin 1992, ai hap një ekspozitë në Rimini e në vitin 1993 një tjetër në provincën e Brindisit. Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në provincën e Riminit. Fillimisht vetëm dhe më pas tërheq familjen.

Në qendër të punëve të tij mbeten temat shoqërore, shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në “karikaturizimin e personit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore