Lajme

Petritsch: Masakra e Reçakut ndryshoi gjithçka – Rambouillet, mundësia e fundit që Serbia ta shmangte bombardimin e NATO-s


Wolfgang Petritsch

Wolfgang Petritsch, diplomati austriak dhe ish-Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për negociatat e paqes midis Kosovës dhe Serbisë që u zhvilluan në Paris të Francës (Rambouillet, 6 shkurt 1999), konsideroi se Konferenca e Rambouillet-së ishte mundësia e fundit për Serbinë që ta mbante Kosovën brenda ish-Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ).

Duke qenë se delegacioni kosovar e nënshkroi marrëveshjen për zgjidhje të përkohshme të konfliktit, kurse delegacioni serb e refuzoi, diplomati austriak deklaroi se Serbia e shpërdoroi një “mundësi historike” për të pranuar një zgjidhje paqësore, duke detyruar aleatët e NATO-s të nisin fushatën e sulmeve ajrore më 24 mars 1999 ndaj ushtrisë dhe policisë serbe.

“Unë besoj fort se do të ishte shansi i fundit për Serbinë që ta mbajë Kosovën brenda kufijve dhe ta shmangë ndërhyrjen e NATO-s. Lufta dhe mijëra të vdekur ndryshuan rrënjësisht të gjithë situatën dhe dobësuan pozicionin negociator të palës serbe”, kujtoi Petritsch, duke marrë për bazë Masakrën e Reçakut, ku njësitet policore serbe vranë e masakruan 45 shqiptarë.

“Pra, ishte një situatë shumë e rëndë tashmë në fund të vitit 1998. Por pas një periudhe të shkurtër qetësie, konflikti vazhdoi dhe përfundoi pastaj në Reçak në mesin e janarit 1999, ku forcat speciale serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Kjo masakër ndryshoi lojën. Rambouillet ishte me të vërtetë më shumë se vullneti politik për të gjetur një zgjidhje kompromisi”, theksoi ai.

Ndërhyrja ushtarake në Kosovë konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të NATO-s, përkundër se përbente rastin e parë në histori që aleanca ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian. Wesley Clark, gjenerali amerikan dhe komandanti i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, udhëhoqi sulmet ajrore që zgjatën 78 ditë apo 2 muaj, 2 javë e 3 ditë.

Më 24 mars 2024 bëhen një çerek shekulli nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa vendimi ishte përligjur nga mbështetja e gjerë trans-atlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare – rasti i parë që NATO-ja ndërhyn në një territor pa pasur mandat nga Kombet e Bashkuara (OKB).

25 vjet nga 24 marsi i bombardimeve të NATO-s

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore