Lajme

Petkoviç i reagon Sveçlës: “Serbët në Kosovë nuk kanë president tjetër përveç Vuçiç-it dhe asnjë shtet tjetër përveç Serbisë”


Petar Petkoviç

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i ka reaguar ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, pasi i njëjti i ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të dalin në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore, përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuar e të orkestruara nga Beogradi.

“Pretoriani i Kurtit, Xhelal Sveçla, me shndërrimin e tij të rremë në demokrat të madh, vetëm sa do ta konfirmojë më tej vendimin e serbëve në veri të Kosovës që nesër ta refuzojnë me neveri tentativën për okupim të Kurtit”, tha Petkoviç.

Ndërkaq, Petkoviç pretendon se “Sveçla po mashtron veten kur mendon se do t’i detyrojë serbët të marrin pjesë në okupim, sepse edhe pushtuesit shumë më të fuqishëm dhe më të rrezikshëm nuk arritën ta mposhtin respektin për veten dhe dashurinë për lirinë e popullit serb”.

“Dhe serbët jo vetëm që nuk do të votojnë në zgjedhjet në kontejnerët e Kurtit, por me një përgjigje të bashkuar demokratike, që është bojkot i këtyre zgjedhjeve, ata do të konfirmojnë edhe një herë se kujt dhe ndaj cilit shtet janë besnikë”, tha ai.

Tutje, ai shtoi se “presidenti Vuçiç nuk mund të ishte më i qartë, mbështeti popullin serb, dhe do të jetë gjithmonë me popullin e tij në Kosovë”.

“Serbët në Kosovë nuk kanë president tjetër përveç Vuçiç-it dhe asnjë shtet tjetër përveç Serbisë, dhe mesazhi i tyre nesër për Kurtin dhe Sveçlën do të jetë dinjitoz dhe krenar”, tha Petkoviç.

Ndryshe, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje serbëve që të dalin në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në katër komunat veriore, përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuar e të orkestruara nga Beogradi.

“Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiç’it të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta”, ka shkruar Sveçla në rrjetin e tij social në Facebook.

Serbët e Kosovës, sipas Sveçlës, po vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënime e presione nga strukturat ilegale e kriminale të dirigjuara nga Beogradi.

“Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet tona. Pasi nën presion iu kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme”.

Qëllimet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës, sipas Sveçlës më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet.

Sveçla: Nesër është mundësia që përmes votës serbët të japin përgjigjen e merituar Vuçiç’it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore