Lajme

Peticioni për largim nga zyrat në Veri s’përkrahet nga dy kryetarët e PDK-së


Foto: Albanian Post

Sipas Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mënyra më e mirë për shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat Veriore – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – është përmes peticionit, mirëpo dy prej tyre nuk e mendojnë opsionin e kreut të ekzekutivit si rrugën më të mirë për të arritur tek zgjedhjet e reja.

Për Kryetarin e Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, mënyra më e mirë për të arritur tek qëllimi i përbashkët, pra zgjedhjet e reja, është dorëheqja e katër kryetarëve shqiptarë të komunave Veriore, pasi që ai vlerëson se kjo formë është më dinjitetshme.

“Unë do t’i përshtatem çfarëdo forme ligjore që rrjedhin nga institucionet e Republikës se Kosovës. Mirëpo sa i përket kësaj iniciative (udhëzimit administrativ) për mendimin tim, duhet të ketë marrëveshje politike, dorëheqje vullnetare koordinuar, do të ishte më e dinjitshem, për mendimin tim. Meqenëse ky vendim është i kryeministrit, natyrisht është i bazuar në një bazë ligjore. Por, iniciativën e shkarkimit unë e shoh si problematike dhe e shoh si të pa dinjitetshme sepse këtu ka edhe probleme, pastaj procedurat deri te shkarkimi”, ka deklaruar Zeqiri në një prononcim për media me 11 gusht.

Izmir Zeqiri

Iniciativa e largimit të kryetarëve në Veri përmes një peticioni, sipas kryetarit të Zubin Potokut, mund të krijojë një precedent.

“Iniciative në fjalë mund ta ketë problematiken e vet për shkak se deri sa të shkojnë procedurat, kërkojnë kohë më të gjatë dhe është problematike në veti iniciativën për t’i shkarkuar kryetarët”, shtoi ai.

Ndërsa, për Kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci – i cili është bashkëpartiak i Zeqirit në Partinë Demokratike të Kosovës – mënyra më e mirë lidhur më këtë cështje do të ishte një takim i katër kryetarëve me kryeministrin Albin Kurti, dhe aty të shqyrtoheshin mundësitë se si të vazhdohet para në këtë proces.

“Rruga më e mirë do të ishte që të na ftojë në një takim kryeministri dhe aty do të mund të arrinim një mirëkuptim mes katër kryetarëve dhe tij. Kjo do të ishte më e rrugës dhe më e mirë, se çdo tentim tjetër. Por nuk ka asnjë sinjal që kryeministri do të na ftojë në takim”, tha Peci të shtunën.

Sipas tij, dakordimi në mes të katër kryetarëve dhe kreut të ekzekutivit kosovar do të ishte “i pranueshëm”.

Ilir Peci

Sa i përket dorëheqjes eventuale të tij, ai pohoi se momentalisht një gjë të tillë nuk e ka menduar, pasi që për një gjë të tillë i duhet konsultime.

“Edhe qytetarët do ta kuptonin që kur të arrihej një marrëveshje mes kryeministrit dhe katër kryetarëve do të ishte më e pranueshme. Për dorëheqje nuk kam menduar ende, pasi që duhet të bisedojmë me ambasadorë e me kryetarin e partisë sonë [Memli Krasniqi]”, theksoi ai, madje paralajmëroi edhe një takim javën e ardhshme me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Përveç tyre, nismën e Kurtit për largimin e kryetarëve të komunave Veriore në këtë formë nuk e kanë përkrahur të gjithë as nga kabineti i tij.

Kundër saj ka dalur Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç – i cili është nga radhët e komunitetit serb.

Sipas Rashiç-it, mënyra më e mirë për largimin e kryetarëve – çka do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja – është që të njëjtit të japin dorëheqje.

“Mënyra më e mira është që kryetarët të dorëhiqen. Si të dorëhiqen? Me një bisedë. Unë jam i sigurt se edhe ata e shohin se ndoshta nuk është e logjikshme që me një përqindje të vogël të votave, kur e keni një përqindje të banorëve një strukturë etnike e cila është ndryshe përveç asaj që e përfaqëson dhe normale unë jam i sigurt që ata do ta kuptojnë”, deklaroi Rashiç me 9 gusht.

Nenad Rashic

Rashiç vlerëson se nëse e bëjnë ata një dorëheqje në këtë formë “shumë me efiçiente do të kishim qenë ne si Qeveri dhe në fund të fundit edhe ata si qytetarë”, sepse pohon ai, “e kemi një iniciativë që mund t’i organizojmë zgjedhjet shpejt sepse kemi një pluralizëm”.

Forma që përmes peticionit të shkarkohen kryetarët nuk është e mirë sipas ministrit, pasi që ai beson se kjo rrugë e fuqizon Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit – për të cilët thotë se nuk i intereson interesi i komunitetit serb.

“Në këtë rast, ajo për mu është Lista Serbe. Ajo nuk do të bëjë asgjë e cila shkon në favor të serbëve, por do të veprojë për gjithçka që shkon në favor të regjimit në Beograd. Unë e kam mandatin e vetëm të mbrojë interesat e serbëve lokal, jo interesat e një partie radikale e cila rastësisht për momentin e ka pushtetin në Beograd”.

Përderisa Peci e Zeqiri, tanimë kanë shprehur së paku mendimet e tyre, për këtë çështje ende nuk janë deklaruar dy kryetarët e tjerë, Erden Atiq i Mitrovicës së Veriut dhe Lulzim Hetemi i Leposaviqit, të cilët vijnë nga partia e kryeministrit Kurti, Lëvizja Vetëvendosje.

Çka mori vendim Qeveria?

Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, ka marrë vendim me 1 gusht që të nisen procedurat për largimin dhe shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore.

Sipas vendimit të MAPL-it, është hartuar një Grup Punues që do të hartojë një Udhëzim Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët e katër komunave në Veri të Kosovës, të zgjedhur më 23 prill.

Por, Albanian Post kupton se kjo procedurë u ndoq pasi nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) u refuzua krijimi i një procedure të tillë meqë është konstatuar se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore.

Nga KQZ i kanë thënë qeverisë se duhet ligj i veçantë për referendumin që të bëhet e munduar ndjekja e kësaj procedure.

Por, përkundër se pa bazë ligjore, Qeveria ka vazhduar përmes ministrisë duke marrë vendim që të krijojë Grupin Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët.

Sipas vendimit të MAPL-it, ky Grup Punues është përgjegjës për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve.

Vendimi i MAPL-it

Afati i Grupit Punues për ta hartuar Udhëzimin Administrativ dhe për ta proceduar tek zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së është deri më datën 1 shtator.

Si e vlerësojnë ekspertët këtë nismë?

Sipas ish-kryetarit të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, Mallzum Baraliu, nisma e qeverisë për largimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave Veriore përmes peticionit “është punë e kotë”, madje ai vlerësonte se “është ‘don kishotian’ një veprim i tillë, ose thjesht dikujt i konvenon që të zvarriten punët”.

Në një prononcim për Albanian Post, Baraliu tregonte se një procedurë e tillë “nuk është punë as e Ministrisë, e as e Qeverisë që të merret me diçka që është e rregulluar me Kushtetutë dhe që është e rregulluar me ligjin për zgjedhjet lokale”.

“Madje, është e thënë mirë që zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe ligji për zgjedhjet lokale po ashtu, në disa komuna ose në të gjithë vendin mbahen kur thjesht krijohen kushtet për një gjë të tillë. Në këtë rast janë mbajtur zgjedhjet, por nuk ka pasur dalje të mjaftueshme, tani duhet që ata zotërinjtë atje të japin dorëheqje, kjo nëse shkohet me variantin e parë”, elaburonte Baraliu.

Përveç kësaj forme, ai shpjegonte se ekziston edhe varianti i dytë, i cili është “20 për qindëshi i trupit zgjedhor që duhet në formë peticionale, në një lloj referendumi, e pastaj me proceduara të caktuara ligjore të zbatohet dhe kështu të hapen rrugët për zgjedhje”.

Mazllum Baraliu

Ndërsa, për juristen, njëherit deputeten nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo nismë është edhe ani-kushtetuese, dhe për ta argumentuar këtë ajo përmes një postimi në Facebook, pati shpjeguar në detaje se çka parasheh ligji në këtë situatë.

Fillimisht ajo elaburote format që mund të çojnë në zgjedhje të reja.

“Japin dorëheqje me ç’rast hapet menjëherë mundësia e vazhdimit me zgjedhje të reja (që ishte rekomandim i LDK qe tanimë disa muaj)”, tregonte ajo variantin e parë.

Forma tjetër, bënte me dije Kica, mund të bëhet “përmes Nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, që përcakton mundësinë e iniciativës qytetare për largimin e kryetarëve aktual”.

“Kjo dispozitë, parasheh që kërkesa të nënshkruhet nga 20 për qind e votuesve të regjistruar. Nëse kërkesa e tillë paraqitet, shkohet me zgjedhje ku votohet Për apo Kundër largimit të kryetarit aktual. Nëse shumica (pra së paku 50%+1) e votuesve votojnë Për largim, atëherë shkohet në zgjedhje të reja”, elaburoi ajo.

Rrjedhimisht, pohoi deputetja e LDK-së, “në mungesë të dorëheqjeve, mundësia e vetme mbetet nisma/peticioni sipas Nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale”.

“Sidoqoftë, kur flasim për Nenin 72, që mbetet Neni i vetëm i aplikueshëm në këtë kuptim (në mungesë të çfarëdo ligji tjetër për këto çështje), mundësitë janë plotësisht të kufizuara”.

Doarsa Kica

Tutje, Kica tregonte se neni 72, nuk jep autorizime shtesë për KQZ, “e aq më pak për Qeverinë e Republikës së Kosovës, që të zgjeroj kompetencat e saj në përcaktimin e çfarëdo forme tjetër apo edhe në sqarimin e detajeve specifike me rastin e aplikimit të Nenit 72”.

“Kjo, për arsye se i gjithë procesi i nismës së tillë ka të bëj me të drejtën dhe formën e votimit, dhe do të rrezikonte ndërhyrje në votën e lirë”.

Prandaj, potencon ajo, “pyetja eventuale apo forma e parashtrimit të pyetjes së nismës (apo raste tjera referendumit) nuk guxon të jetë kurrsesi çështje që rregullohet me udhëzim administrativ”.

“Ekzekutivi nuk ka dhe nuk guxon të ketë asnjë autorizim për implementimin e dispozitave zgjedhore të ligjeve pozitive (të aplikueshme) sepse ato janë përcaktues të votës së lirë. Për më tepër, nuk mund të bëhen as rregullime që mund prodhojnë efekte retroaktive që prekin mandatet ekzistuese”.

Po ashtu, deputetja shpjegonte se asnjë udhëzim administrativ nuk mund të përcaktoj pyetjen e peticionit, “sepse Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale është plotësisht i qartë në atë që përcakton se qytetarët duhet të deklarohen PËR (e rrjedhimisht si alternativë KUNDËR) largimit të kryetarit”.

“Këtu nuk ka asnjë hapësirë për diskutime lidhur me pyetjen. Çdo diskutim i tillë tejkalon autorizimet që rrjedhin nga Neni 72 dhe janë të palejueshme, sepse rregulli bazik i çdo udhëzimi administrativ është mos-tejkalimi i ligjit (me që udhëzimi është akt NËNligjor)”.

Prandaj, thoshte ajo, në rastin konkret, një udhëzim sikurse po flitet “do të ishte jokushtetues dhe joligjor”, dhe për ta argumentuar këtë ajo dha dy arsye.

“E para, sepse nuk ekziston asnjë autorizim i tillë për Qeverinë apo KQZ në asnjë ligj që rregullon zgjedhjet; dhe e dyta, Qeveria (ekzekutivi) nuk mund ta normoj materien zgjedhore sepse këtë e bën Kuvendi përmes Kushtetutës dhe/ose ligjeve, dhe as të përcaktoj pyetjet e nismës që lidhet drejtpërdrejt me shprehjen e vullnetit të popullit”.

“Të jemi të qartë, pra, që në parim, çdo deklarim plebishitar mbi një çështje nënkupton formë të referendumit, por në rastin konkret, mundësia e heqjes së kryetarëve është paraparë me peticion qytetarë”.

Sipas saj, në secilin rast nëse Qeveria apo KQZ dalin me një udhëzim të tillë, “gjasat janë shumë të mëdha që ai do të jetë jokushtetues”.

Çka e solli këtë situatë dhe nevojën për zgjedhje të reja?

Vendimi i nxjerrë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që përmes peticionit të largohen kryetarët e komunave Veriore, vjen pasi që Kosova pranoi një pjesë të planit të de-eskalimit të situatës në Veri më 10 korrik, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.

Kjo kishte ndodhur pas takimit në Bratislavë të Sllovakisë në mes të kryenegociatorit të Kosovës për dialog me Serbinë, Bensik Bislimi, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.

Në marrëveshjen e publikuar me 11 korrik nga Qeveria e Kosovës, bëhej me dije se Prishtina ishte pajtuar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës policore për 25 për qind në afërsi të objekteve komunale në komunat Veriore, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Pos kësaj, aty ishte paraparë që të mbahen zgjedhje të reja në ato katër komuna, dhe kjo të bëhej menjëherë pas stinës së verës.

Pranimi i këtij plani nga Qeveria – i prezantuar tash e një kohë nga BE-ja dhe i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – kishte ardhur vetëm pasi që ndaj Kosovës ishin vendosur masa ndëshkuese nga BE-ja dhe ShBA-ja, kjo si pasojë e refuzimit të qeverisë për ta shtensionuar situatën në Veri, pasi që të njëjtit e konsideronin Prishtinën përgjegjëse për të gjitha tensionet e krijuara atje.

Situata në Veri të Kosovës ishte tensionuar që nga 26 maji, kur qeveria mori vendim që policia t’i instalojë në zyrat e tyre kryetarët e komunave Veriore – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çka shkaktoi reagim të serbëve lokalë të cilët janë shumicë në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur me 14 qershor, xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në pikën kufitare, të cilët u liruan pas presionit të madh të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore