Lajme

Petar Petkoviç: Vazhdojnë sulmet ndaj trashëgimisë fetare të kishës ortodokse


Sulmin ndaj alpinistëve në veri të Kosovës, përkatësisht në Zubin Potok, Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, është munduar që ta arsyetojë duke pretenduar se alpinistët kanë dashur të sulmojnë Kishën Ortodokse serbe “duke e goditur me gurë”.

Petkoviç, aludon se ka një vazhdimësi te sulmeve ndaj trashëgimisë fetare dhe kulturore të Kishës Ortodokse serbe do të vazhdojnë, sepse autorët e panjohur kanë goditur me gurë kishën e “Shën Petka” në Kosovë, raporton gazeta serbe Danas.

Megjithatë, të dielën nuk është njoftuar për ndonjë sulm ndaj kishës në fjalë, nga organet e sigurisë së Kosovës.

“Incidenti i ndodhur të dielën rreth orës 22:00 është paraprirë nga përpjekja e disa protestuesve të panjohur për të larguar flamurin serb nga këmbana e Kishës së Apostujve të Shenjtë Pjetër dhe Pal në ditën e Shën Gjergjit”.

Në anën tjetër, nga sulmi ndaj alpinistëve në veri të Kosovës, nuk është lënduar askush.

“Te gjithë jemi mirë dhe të sigurt pas incidentit që ndodhi. Tani po vazhdojmë ecjen në Shalë të Bajgorës. Ecja sot ka qenë e lajmëruar në institucionin përkatës”, thuhet në njoftimin e klubit.

Ndërkaq Petkoviç ka theksuar se numri i sulmeve ndaj kishave serbe në Kosovë është në rritje.

“Sulmet janë më të shpeshta gjatë festave të kishës”, ka thënë Petkoviç.

Ai ka kërkuar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që të rrisin nivelin e mbrojtjes së ndërtesave fetare serbe në një nivel edhe më të lartë dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë për besimtarët në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore