Lajme

Pesë shkolla në Gjakovë fillojnë procesin mësimor


Shkolla “Faik Konica” në Prishtinë.

Të enjten e 15 shtatorit, në komunën e Gjakovës pesë shkolla kanë filluar procesin mësimor.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar drejtoresha e Arsimit në komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova Baçi.

“Po mësimi ka filluar dhe është duke u mbajtur në pesë shkolla”, deklaroi shkurt ajo.

Një veprim i tillë ishte paralajmëruar edhe nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë të mërkurën përmes një shkrimi në ‘Facebook’.

“Pesë shkolla në komunën e Gjakovës nisin të enjten procesin mësimor. Kështu ka njoftuar Drejtoria e Arsimit në këtë komunë”.

“Shkolla fillore “Mustafa Bakija”, SHFMU “Fehmi Agani”, SHFMU ” Emin Duraku”, “SHMU ” Yll Morina” pjesërisht, SHFMU “Fan S.Noli”, fshati Dujakë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit në Gjakovë.

Greva në arsim ka filluar që nga 25 gushti.

“Vetëm 17 mësimdhënës janë duke tentuar të punojnë dhe ata dolën që janë të afërt me pushtetin”, deklaroi kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jasharaj për Albanian Post më 15 shtator. 

Greva në arsim.

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore