Lajme

Përvjetori i luftës në Ukrainë/ NATO: Moska po dështon, Kina nuk është e besueshme


“Kina nuk ka kredibilitet sepse nuk e ka dënuar kurrë pushtimin e Rusisë dhe ka nënshkruar një marrëveshje për një partneritet të pakufizuar me Moskën disa kohë përpara pushtimit rus”.

Kështu deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth planit të paqes të paraqitur nga Pekini në një konferencë për shtyp nga kryeqyteti estonez Talin.

Për mundësinë që Kina të furnizojë Rusinë me armë, Stoltenberg shpjegoi: “Ne nuk shohim asnjë provë për dërgimin e ndihmës ushtarake minimale, por ajo që ne shohim është se ka indikacione se Kina mund ta bëjë këtë”.

Aleatët e NATO-s u shprehën në një deklaratë me rastin e luftës njëvjeçare të Rusisë kundër Ukrainës se “ndërsa shënojmë solemnisht një vit të luftës brutale të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, kërcënimi më i rëndë për sigurinë euroatlantike në dekada, ne si aleatë riafirmojmë solidaritetin tonë me qeverinë dhe popullin e Ukrainës në mbrojtjen heroike të kombit të tyre, tokës së tyre, dhe vlerat tona të përbashkëta”.

“Ne i kushtojmë nderim jetëve të humbura dhe dënojmë vuajtjet dhe shkatërrimet tragjike njerëzore, duke përfshirë zonat e banuara dhe infrastrukturën civile dhe energjetike të Ukrainës, të shkaktuara nga lufta e paligjshme e Rusisë”, theksuan 30 aleatët e NATO-s.

Sipas tyre, përpjekjet e Rusisë “për të thyer vendosmërinë e popullit të guximshëm ukrainas po dështojnë”.

“Një vit më vonë, ukrainasit po luftojnë me guxim për liri dhe pavarësi. Ne jemi me ta”, përfundojnë aleatët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore