Lajme

Përveç ShBA-së, më në fund Vuçiç-it i servohen edhe dy kërkesa evropiane për “njohje” të Kosovës


Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa / Drejtori i Institutit për Politika Sociale "Musine Kokalari" Visar Ymeri, dhe Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko

“Njohja e Kosovës gjithmonë ka qenë njëra nga kushtet ndaj Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian ani pse BE-ja nuk e ka theksuar ashtu siç e kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. [Njohja e ndërsjellë] është konsideruar rezultati i natyrshëm i dialogut të Brukselit”.

Kështu e ka vlerësuar deklaratën e kancelarit gjerman Olaf Scholz për “njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë” si një kusht i nevojshëm i anëtarësimit të të dyja vendeve në unionin evropian, Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, në një përgjigje për Albanian Post.

Përveç kësaj, mesazhi i Scholz-it shkon edhe në atë se “edhe pesë vendet mos-njohëse të Bashkimit Evropian duhet gjithashtu ta njohin Kosovën”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, deklaroi se “është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën të anëtarësohen në BE” gjatë vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd.

“Gjermania e ka njohur Kosovën menjëherë pas deklarimit të pavarësisë. Deklarata e zotit Scholz gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd është në vijë me atë çfarë përfaqësuesit e BE-së kanë thënë, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës. Dhe, për më tepër, Gjermania është thellësisht e përfshirë në Ballkan, dhe është dukshëm më e interesuar se fqinjët tanë (Austria, Hungaria, etj) për përfshirjen e saj në BE”, ka treguar Biserko.

Kurse Visar Ymeri nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” qasjen e kancelarit federal gjerman karshi kontestit mes Kosovës dhe Serbisë e sheh afirmues ndaj Kosovës, dhe një mesazh të qartë të diplomacisë gjermane.

“Është e qartë që Kancelari Scholz ka ndërmarrë një nismë mjaftë dinamike që t’i adresojë çështjet që kanë të bëjnë me rajonin tonë. Në këtë drejtim angazhimi i tij është tejet i rëndësishëm dhe shumë i dobishëm. Veçanërisht marrë parasysh ndikimin që ka Gjermania në BE, ku kjo e fundit mbetet synim i të gjitha vendeve të rajonit, por edhe ndikimin që Gjermania ka drejtpërdrejt në Serbi duke qenë një prej investitorëve më të mëdhenjtë atje”, tha Ymeri për AP.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti / Kancelari federal gjerman, Olaf Scholz / Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç

Megjithëkëtë, për Ymerin, mbështetja gjermane është kyçe, por po aq e rëndësishme është edhe ajo se ato duhet të realizohen përmes dialogut të fasilituar nga BE, e që është njashtu kërkesë gjermane.

“Në këtë drejtim përkrahja publike që Scholz i dha anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është mesazh i qartë për Serbinë se nuk mundet ta bllokojë Republikën e Kosovës pafundësisht. Kërkesa eksplicite për njohje e dërgon një hap tutje diplomacinë gjermane, dhe i krijon një hapësirë shumë të rëndësishme Kosovës. Mirëpo ne duhet ta kuptojmë që rruga drejt realizimit të këtyre kërkesave gjermane është dialogu”.

Mbështetja e pranuar nga kancelari gjerman, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Britani e madhe “janë të domosdoshme”, thotë Ymeri, mirëpo, ai shton se “dialogun duhet ta përfundojmë ne, e nuk mund ta përfundojnë shtetet mike të Kosovës”.

Visar Ymeri, Drejtor Ekzekutiv i IPS Musine Kokalar

Projekt-rezoluta e PE-së për “njohje të ndërsjellë” si risi, por ligjërisht e padetyrueshme

Për atë se Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi projekt-rezolutën që dialogut Kosovë-Serbi të frazuar si “dialog për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës” kërkohet t’i shtohet edhe fjalia “njohje e ndërsjellë”, Biserko e sheh të reflektuar në mosangazhimin e BE-së në këtë dhjetë vjeteshin e fundit në rajon.

“Frazeologjia prej ‘normalizimit gradual të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës’ reflekton, do të thoja, dhjetë vite mungesë të angazhimit në rajon për arsye të sfidave të tyre (siç është Brexit-i, emigrantët, kriza financiare)”, thotë ajo për Albanian Post.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko

“Kapërcimi në ‘njohje të ndërsjellë”, tregon Sonja Biserko “është qasje më e duhur, kjo edhe për shkak të kontekstin të ri”.

“Presidenti Vuçiç u zu në befasi, ngase ende shpreson të mund të qëndrojë në dy karrige, në mes të Rusisë dhe Perëndimit. Druaj se kësaj gjëje i ka ardhur fundi, dhe Serbisë i duhet të vendosë në cilën anë të qëndrojë. Kjo afekton edhe marrëdhënien e saj me Kosovën”, tha Biserko.

“Njohja e ndërsjellë” dhe Aleksandër Vuçiç

Pyetur nga gazetarët për deklaratën e Scholz-it dhe formulimin në PE rreth dialogut Kosovë-Serbi, Vuçiç të martën tha se “nuk ka askund ‘njohje të ndërsjellë’ por vetëm ‘dialog për normalizim të plotë të marrëdhënieve’”.

Ndonëse tha se “është e vërejtshme që BE dëshiron njohje të Kosovës, kjo nuk është qëndrim zyrtar i tyre”, edhe pse një kërkesë i tillë u bë eksplicite nga kancelari gjerman.

Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, deklaratat e Vuçiç i lexon brenda manovrimit të tij për publikun e brendshëm dhe atë të jashtëm.

Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa

“Së pari, termin ‘mutual recognition’ po dëshiron ta krijojë vetë Aleksandër] Vuçiç-i. Në komentimin e vizitës së kancelarit Scholz. Vuçiç ka dashur t’ia rikujtojë opinionit të tij të brendshëm që kinse procesi i bisedimeve me Kosovën ka qenë e ndërtuar mbi bazën e asaj që quhej ‘normalizim’. Ata që Vuçiç po bën është për dy audienca: e para është në atë të brendshëm për të treguar se sa shumë kanë ndryshuar rrethanat pas luftës në Ukrainë; në çfarë presioni gjendet Serbia; dhe se si ai po arrin të mbijetojë edhe përkundër këtij presioni që t’i ruajë interesat e Serbisë”, ka thënë Hysa për Albanian Post.

“Dhe, e dyta, dëshiron që t’i tregojë botës, e sidomos pjesës evropiane, që ajo po ndryshon qëndrime duke adoptuar qëndrime amerikane për një çështje të tillë”.

Kërkesën për “njohje të ndërsjellë”, sipas ish-ambasadorit Hysa, “pas vizitës së Scholz, Vuçiç po mundohet ta kthejë në diçka që po i serviret”.

Mes tjerash, ai “po mundohet të tregojë që është zhbërje e procesit të Brukselit”, konsideron Hysa.

“Koncepti i tillë [për njohje të ndërsjellë], së pari është i rëndësishëm nëse ka konsensus edhe euro-atlantik, dhe së dyti nëse Vuçiç dëshiron të vazhdoj me çdo kusht të mbajë të ashtuquajturin neutralitet ruso-ukrainas, që nënkupton sanksionet ndaj Rusisë”.

Rezoluta e PE-së për “njohje të ndërsjellë” si epilog i dialogut, nuk është ligjërisht e detyrueshme. Ndonëse është pozicion zyrtar i Parlamentit Evropian, nuk është pozicion zyrtar i BE-së.

Edhe Visar Ymeri mendon se vështirë që BE, në situatën aktuale, do të merr një qëndrim të tillë.

“Mendoj që ky do të jetë tash e tutje qëndrimi i Gjermanisë. Nuk e besoj që institucionet e BE-së, ose më mirë Komisioni Evropian, do të përdorë një terminologji të tillë për shkak të vendeve mosnjohëse. Por do të kishte me qenë e dobishme që vendet anëtare që e kanë njohur Kosovën ta kenë një qëndrim të tillë sikur të Gjermanisë”, ka thënë Ymeri.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Ndërkaq, Hysa kërkesën për “njohje të ndërsjellë” nga instanca të BE-së e sheh serioze vetëm nëse ajo është e njëmendtë.

“Nëse qëndrimi për ‘mutual recognition’ është më pak se princip dhe hakmarrje për politikën e ashtuquajtur të neutralitetit që mban [Aleksandër Vuçiç], atëherë ai do të mundohet që të navigojë duke bërë dallime në prioritizimin e asaj që është qëndrimi i tij ndaj Rusisë apo njohja e Kosovës. Duke e ndarë kështu komunitetin ndërkombëtar”, tha

Hysa, të gjithë diskursin që Serbia e përdor, sidomos të mbitheksuar pas 24 shkurtit, e sheh në një tentim për vetë-mbrojte të Serbisë.

“Vija mbrojtëse e diplomacisë serbe është që ‘ne e duam integritetin tonë territorial po aq sa Bashkimi Evropian e do integritetin territorial të Ukrainës’. Dhe e dyta [vijë mbrojtëse e diplomacisë serbe] është se ‘ne nuk mund t’i vendosim sanksione atyre që mbrojnë integritetin tonë territorial’”, ka thënë Ylber Hysa.

Sa mund të çojë më tej Gjermani kërkesën për “njohje të ndërsjellë” ndaj Serbisë

Ymeri thotë se për ta çuar në nivele të reja një gjë të tillë, “Scholz duhet të arrijë një dakordancë mes vendeve të BE-së, që të kenë një qëndrim unik karhsi kësaj çështje”.

“Edhe pse vend me ndikimin më të madh brenda BE-së, Gjermania nuk është shteti i vetëm brenda BE-së. Në këtë drejtim për Kosovën, për rajonin, për dialogun, është e rëndësishme që vendet anëtare të BE-së të kenë qëndrime të përafërta, nëse jo të njëjta”.

Megjithëkëtë, Ymeri tërheq vëmendjen e dallimeve të theksuara mes Gjermanisë dhe Francës sa i përket asaj se çfarë politikash duhet të ndjek në Ballkanin Perëndimor.

Kancelari federal gjerman Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës Emmanuel Macron

“Ndikimi i Kancelarit Scholz në këtë pikë do të jetë tepër i rëndësishëm dhe i vlefshëm. Dhe testi i parë mendoj unë do të jetë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën. Gjermania e përkrah vendosmërisht ndërkohë që Franca duket se vazhdon të jetë skeptik”.

Për Sonja Biserko nuk mund të bëhet fjalë më për qasje të njëjtë ndaj rajonit nga BE. Veçanërisht jo më pas agresionit rus mbi Ukrainën.

“Lufta në Ukrainë ka ndikuar në të gjithë kontekstin e sigurisë evropiane. Thënë këtë, do të thotë angazhim më të madh të BE-së në Ballkan si më rajoni më i cenueshëm dhe i brishtë ndaj influencës dashakeqe të Rusisë”.

“Ende nuk është e qartë se cila do të jetë qasja e re e BE-së, ende ka shumë për t’u debatuar. Samiti i qershorit mbase do ta qartësojë ku qëndrojmë”, tha mes tjerash ajo.

Përveç kësaj, Sonja Biserko tregon edhe për qasjet e ndryshme rreth rajonit të Ballkanit Perëndimor mes kancelarit federal gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit freancez, Emmanuel Macron.

“Zoti Scholz është në favor të integrimit të Ballkanit përkundër asaj çfarë presidenti Macron po propozon. Sidoqoftë, realiteti i ri do të afektojë vendimet e tyre. Zoti Scholz riafirmoi preferencën gjermane ndaj Procesit të Berlinit që të rinis në shtator, e cila edhe preferohet nga disa vende të Ballkanit e që janë kundër Ballkanit të Hapur. Është e qartë se është më [ligjërisht] e detyruesme (do të shohim se çfarë do të ofrojë Gjermania këtë vjeshtë) dhe më relevante ndaj ardhmërisë në BE”, përfundoi Biserko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore