Kosova

Përurohet shtatorja e Nënë Terezës në Lisbonë


Vjosa Osmani dhe Carlo Moedas duke përuruar shtatoren e Nënë Terezës në Lisbonë.

Shtatorja e humanistes shqiptare Nënë Tereza tanimë do të jetë edhe në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë.

Këtë e ka bërë të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Omani, e cila është duke qëndruar që nga e mërkura për vizitë zyrtare në këtë shtet të Gadishullit Iberik.

“Bashkë me kryetarin e qytetit të Lisbonës, Carlo Moedas, përuruam shtatoren e shenjtores shqiptare Shën Tereza”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Foto: Vjosa Osmani

E para vendit ka theksuar se kjo shtatore nuk është thjesht një vepër arti, por mbi të gjitha, “një urë që na lidhë me idealin e përjetshëm të shërbimit vetëmohues dhe dashurisë për të tjerët.

“Le të shërbejë kjo statujë si një kujtesë e vazhdueshme e bamirëses më të madhe që njohu njerëzimi!”, përfundoi ajo.

Edhe para dy muajve, Osmani, së bashku me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, kishte marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Nënës Terezë, në hapësirat e ambasadës së Kosovës në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Në këtë ceremoni kishte marrë pjesë edhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore