Kosova

Përurohet pllaka përkujtimore në një nga shtëpitë shkolla të viteve 90-ta në Kosovë


Kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci në familjen e ish mësuesit Ibrahim Gashit

Shtëpia e cila pas viteve 90-të u shndërrua në shkollë, vetëm për të mos lejuar ndërprerjen e mësimit në gjuhën shqipe, këtë 7 mars u vizitua nga krerët e shtetit të Kosovës.

Mësuesi Ibrahim Gashi, nga Prishtina, kishte krijuar hapësira mësimi në shtëpinë e tij për nxënësit shqiptarë nga viti 1991 deri në vitin 1998, kur edhe u dëbuan nga aty për shkak të luftës.

Kjo shtëpi-shkollë, të hënën u vizitua nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të cilët u bënë pjesë e përurimit të pllakës përkujtimore.

Në muret e shtëpisë së rinovuar dhe rindërtuar tani, është vënë një pllakë e zezë mbi të cilën me të bardhë është shkruar “Shtëpi-Shkollë”, bashkë me të dhëna të tjera rreth organizimit të mësimit në të.

Kurti u shpreh mirënjohës për kontributin e Ibrahim Gashit në zhvillimin e arsimit në kohën e paraluftës.

“Ibrahim Gashi me veprën dhe jetën e tij ka dhënë si rrallëkush, andaj ne jemi përjetë mirënjohës dhe falënderues”.

“E di që ka ndërruar jetë një vit përpara shpalljes së pavarësisë, por e di që gjithë jetën e tij e ka pasur për liri, pavarësi e bashkim. Prandaj ky moment është shumë i veçantë jo vetëm për familjen e tij por për gjithë ne, për gjithë ne që e kemi njohur, por edhe për të gjithë, pasi sot i gëzojnë frytet e kontributit të tij”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq Nagavci tha se e kishin të vështirë të përcaktoheshin s te cila shtëpi do të shkonin, pasi që kontributi i shqiptarëve në atë drejtim ishte shumë i madh për të ndihmuar arsimin.

“Jemi këtu për me e shpreh respektin dhe falënderimin tonë”.

“S’e kemi pasur lehtë me vendosë për shtëpinë se janë me mijëra familje, por jo rastësisht kemi ardhur këtu për kontributin e vazhdueshëm të zotëri Ibrahim Gashi dhe të gjithë qytetarët që kanë prishur rehatinë e tyre ku dhomat e gjumit e te pritjes i kanë kthyer në klasa për të mbajtur gjallë arsimin”, ka thënë Nagavci.

Në fund kryeministri Kurti ndau edhe një mirënjohje për familjen e Gashit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe gruaja e ish mësuesit Ibrahim Gashi

 

Më pas, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, për nder të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, kanë vizituar Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Elena Gjika” në Prishtinë.

Aty Kurti e Nagavci u pritën nga nxënësit e kësaj shkolle, të cilët kishin përgatitur edhe një performancë të shkurtër muzikore për nder të kësaj dite.

Duke premtuar kushte më të mira për mësimdhënësit, Kurti shtoi se nxënësit e suksesshëm sjellin një të ardhme më të mirë.

Kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci në festën e 7 marsit në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë

“Kemi nevojë mbi të gjitha për arsim cilësor. Arsimi varet sa nga nxënësit, mësimdhënësit por edhe nga shteti. Nëse nëna është nëna e parë, mësuesja është nëna e dytë”.

“Andaj ne do të jemi bashkë me MASHTI-n dhe Arbërie Nagavcin sa më pranë jush në mënyrë që të ju ndihmojmë dhe mbështesim që edhe mësimdhënësit t’i kenë kushtet e mira. Nëse nxënësit nëpër shkolla na dalin gjithnjë më të zotë e të dijshëm atëherë e ardhmja jonë është shumë më e mirë”, tha Kurti.

Ndërkaq Nagavci tha se sakrifica e gjeneratave të kaluara mundëson që edukimi i fëmijëve të bëhet në kushte më të mira.

“Kam kënaqësinë që të jemi bashkë me kryeministrin Kurti. Ndryshe prej mësimdhënësve të vendeve tjera kanë pasur barrën që të ngjallin edhe ndjenjat e atdhedashurisë. Sakrifica e gjeneratave të tjera na mundëson që edukimin për fëmijët tani ta bëjmë në kushte më të mira”.

“Andaj edhe unë jam e bindur që kujtimet që ju i lini te nxënësit janë të pashlyera në memorien e secilit nxënës. Uroj që kujtimet e nxënësve për ju të jenë më të mira dhe të jenë një model i mirë. Jemi të vetëdijshëm se përtej çdo infrastrukture dhe politike jeni ju ata qe do ta arrini suksesin te nxënësit”, ka thënë Nagavci.

Kujtojmë se shkolla “Elena Gjika” është një prej objekteve më të vjetra të Prishtinës, e cila u ndërtua në vitin 1927 dhe mbante emrin “Vuk Karaxhiç”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore