Lajme

Përplasje e akuza në Kuvendin e Kosovës


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, të premten deklaroi se duhet bërë një analizë në raport me provimin e jurisprudencës, që vlerëson se cilat janë pengesat në organizimin e provimit.

“Pra po bëka që edhe me qenë organizimi nga Ministria e Drejtësisë dhe të mos ketë asnjë ndikim në provimin e jurisprudencës”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, “unë mendoj që një shembull të keq e kemi pasur provimin e noterisë, kur ju z.Tahiri keni udhëhequr me Ministrinë e Drejtësisë dhe nuk ka pasur proces më të kompromentuar”.

Ndërkaq, potencoi se në qeverisjet e kaluara, listat kanë qenë të mbushura me teze, halla, dajallarë e nipa për ta kaluar provimin e noterisë.

“Teze, halla, dajë, nipa veç edhe gjyshërve e gjysheve që nuk ia patët mundësuar me e kry provimin e noterisë”.

Haxhiu konsideron se Komisioni për provimin e jurisprudencës, ka bërë punë të mirë dhe se për herë të parë nuk ka pasur asnjë presion apo ndërhyrje nga Presidenca, kryetari i Kuvendit apo Qeveria.

“Provimi do të organizohet tre herë brenda një viti. Komisioni i raporton Ministrisë së Drejtësisë në secilin afat të provimit. Komisioni do të bëhet nga juristë të diplomuar që e kanë dhënë provimin e jurisprudencës dhe të kenë tetë vite përvojë profesionale”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Për këtë ju kundërpërgjigj kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri i cili deklaroi se në kohën sa ishte ministër, plani ka qenë që ky provim të hiqej nga politika dhe të vendosej nga Akademia e Drejtësisë.

“Grupi Parlamentar i PDK-së ka një pikëpamje tjetër sa i përket organizimit të provimit të jurisprudencës. Sa kam qenë ministër plani ka qenë ta largojë nga Ministria e Drejtësisë dhe komplet nga politika dhe me të duhet të merret akademia e drejtësisë”, u shpreh Tahiri.

Ai bëri të ditur se Akademia e Drejtësisë ka kapacitete më të mira për organizimin e tij.

“Mendoj qe është e shëndetshme që politika t’i largojë duart nga provimi i jurisprudencës ky ka qenë angazhimi im por për shkak të mandatit të shkurt nuk kam arritur ta përfundojë”.

Ai ka sugjeruar ministren Haxhiu që për këtë provim, politika t’i mbajë duart larg.

“Nëse presidentet e ministrat kanë vendosë kush ta kalojë provimin e jurisprudencës atëherë kjo është skandal. Unë nuk besoj që ka ndodhur kështu por nëse kemi raste të tilla duhet të denoncohen ato”.

“Kur je në krye të një dikasteri duhet të kesh kujdes në diskursin që përdorë. Të apostrofohen krerët e shtetit këtu me këtë qasje mendoj që është e papranueshme”.

Përplasje e akuza mes Haxhiut e Deliu-Kodrës për punësimet familjare

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, diskutoi edhe për punësimet familjare ajo e ka pyetur deputeten e PDK-së Blerta Deliu-Kodra, lidhur me punësimin e motrës së saj në prokurim të Kuvendit dhe vëllait në RTK.

“Nëse flas me gjuhën e Abelard Tahirit atëherë zonja Deliu duhet të të pyes a keni ndikuar në punësimin e motrës tuaj në prokurim të Kuvendit ose vëllain në RTK, ose me ua përmend që dhëndri juaj është arrestuar në OSHP”, deklaroi Haxhiu.

Gjithashtu, theksoi se ka argumente të mjaftueshme edhe për diskutime të tilla, derisa i ka ftuar deputetët e PDK-së për debat konstruktiv.

Ajo theksoi se ka argumente të mjaftueshme edhe për diskutime të tilla, derisa i ka ftuar deputetët e PDK-së për debat konstruktiv.

Deputetja Deliu-Kodra, ju kundërpërgjigj duke thënë se kunati i ministres Haxhiu është i arrestuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.

“Një ministre që vjen këtu e flet për akuza e kunati i saj është i arrestuar për terrorizëm në Maqedoni, nuk mund të na japë leksione. Si takoheni ju me një homolog nga Gjermania kur në CV ju shkruan se kunatin e keni të arrestuar për terrorizëm në Maqedoni”, tha Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra, dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Në replikë ministrja Haxhiu tha se për akuza të tilla deputetja Deliu do të duhej të qëndronte në Kuvend.

“Zonja Deliu kur bën akuza të tilla duhet të rrijë në Kuvend dhe jo të ikë nga Kuvendi. Për ata që se dinë është fjala për rastin e Kumanovës, le ta vlerësojnë institucionet e drejtësisë se si ka ndodhur ai rast. Ndoshta zonja Deliu e di si ka ndodhur ai rast e le t’i tregojë institucioneve të drejtësisë”.

Deputetët e PDK-së më pas kanë lëshuar sallën, me ç’ rast nuk pati kuorum për votimin e projektligjit për provimin e jurisprudencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore