Aplikacione

Përmbajtja e edukimit seksual në TikTok shfaq boshllëqet e arsimit tradicional


Për të mësuar më shumë rreth marrëdhënieve seksuale kur edukimi tipik nuk është i mjaftueshëm, adoleshentët mund t’i drejtohen edhe platformës TikTok.

Mirëpo, videot informuese që gjendet në të nuk kontrollohen mbi keqinformimin dhe nuk u japin adoleshentëve mënyra për të bërë pyetje shtesë.

Faqja “The Verge” tregon se në shkollat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edukimi seksual i ofruar është o pamjaftueshëm.

Ka shumë shtete që nuk kërkojnë që fëmijët të mësohen për tema të tilla si kontracepsioni, pëlqimi dhe diversiteti gjinor.

Megjithatë, informacioni rreth seksit po përhapet në TikTok, i cili numëron miliona përdorues adoleshentë.

Për të vlerësuar informacionin e edukimit seksual në TikTok, një autor i një studimi të ri ka hapur një llogari si një 15-vjeçare.

Ai ka shkarkuar 100 video nën hashtag-et #sexeducation dhe #healthclass dhe i ka kategorizuar ato.

Mbi gjysma e videove ose janë fokusuar në anatominë e mashkullit dhe të femrës ose në kënaqësinë seksuale, me shumicën e fokusuar në anatominë femërore dhe kënaqësinë seksuale femërore.

Trembëdhjetë për qind prej tyre flasin për kontracepsionin dhe vetëm pesë nga to mbulojnë aspekte të tjera të shëndetit seksual si marrëdhëniet seksuale të sigurta, pëlqimi dhe mënyra e kujdesit shëndetësor.

Sipas autorëve të studimit, vëllimi i përmbajtjes në TikTok mbi anatominë seksuale femërore dhe kënaqësinë tregon se një fushë e edukimit seksual tradicional nuk është efektiv.

Për ta, fakti që adoleshentët kërkojnë në TikTok për informacion mbi ato tema, nënkupton se ata nuk po e marrin atë diku tjetër.

Në gjykimin e tyre, të kesh një vend për të parë privatisht informacione që mund t’u përgjigjen pyetjeve rreth seksit mund të jetë i dobishëm.

Sidoqoftë, adoleshentët që shikojnë ato video nuk kanë një mënyrë të qartë ose të lehtë për të marrë informacion shtesë nëse kanë më shumë pyetje, kanë theksuar autorët.

Ata gjithashtu mund të mos kenë një mënyrë të lehtë ose të qartë për të përcaktuar nëse një video përfshin keqinformim.

Në platformë gjenden edhe video nga profesionistë të kujdesit shëndetësor që u përgjigjen pyetjeve, por ka shumë video të tjera pa kontroll.

“Sasia gjithnjë në rritje e përmbajtjes së disponueshme në TikTok e bën jopraktike përgjigjen ndaj të gjitha keqinformimeve dhe nuk ka asnjë garanci që një përdorues do të ndeshet ndonjëherë me këto video korrigjuese”, kanë thënë autorët.

Kurse studime të tjera tregojnë se informacione të këqija për fusha të tjera të shëndetit, si COVID-19 dhe kanceri i prostatës, janë përhapur në platformë.

Duke marrë parasysh madhësinë e platformës, studimi rekomandon se ekspertët duhet të kryejnë më shumë kërkime duke vlerësuar saktësinë e informacionit të edukimit seksual të paraqitur në të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore