Kosova

Përkujtohet Astrit Dehari në pesë vjetorin e vdekjes – kërkohet drejtësi


Vendosja e qirinjëve në përkujtim të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari

Në përkujtim të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, i cili vdiq me 5 nëntor të vitit 2016, dhjetëra qytetarë kanë vendosur qirinj dhe lule te murali i tij, në rrugën Rexhep Luci në Prishtinë.

Në pesë vjetorin e vdekjes së tij, Lëvizja Vetëvendosje kishte ftuar të gjithë anëtarët dhe simpatizantët të ndezin nga pesë qirinj në ballkonet e shtëpive të tyre, në përkujtim të jetës dhe veprës së Astrit Deharit.

Qytetarët kanë vendosur qirinj dhe lule te murali i Astrit Deharit, në rrugën Rexhep Luci, në Prishtinë.

Gjatë ditës së sotme, prindërit, bashkëshortja së bashku me vajzën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe drejtues të tjerë institucional, kanë bërë homazhe te varri i tij.

Homazhe te varri i Astrit Deharit

Astrit Dehari, më pesë nëntor të vitit 2016 ishte gjetur i vdekur brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Edhe pse gjatë këtyre pesë viteve janë kryer hetime, intervista dhe ekspertiza për të zbardhur rastin e vdekjes të ish-aktivistit, ajo mbetet ende një mister i pa zgjidhur.

Sipas avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi provat për personat e dyshuar për këtë çështje nuk mungojnë.

“Ka prova të mjaftueshme dhe nuk mund të mbulojnë me heshtje vrasjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u vra në tentativë për t’i marrë deklaratat vetinkriminuese, ku shënjestër ishte Albin Kurti dhe LVV”, thotë Gashi.

Ai thotë se prokuroria duhet të ndërmarrë hapa dhe të mos e mbulojnë në heshtje vdekjen e Astrit Deharit.

Korridori i Burgut, në të cilin gjendej dhoma ku ishte i burgosur Astrit Dehari

Ndërkaq, babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, i ka bërë thirrje Prokurorisë që ta zbardhin rastin e djalit të tij.

“I bëjë thirrje Prokurorisë që të mos i zvarrisin rastet, siç kanë zvarritur deri më tani, dhe ta zbardhin këtë rast dhe të gjitha rastet që duhen të zbardhen në Kosovë”, ka thënë Dehari.

Ndërsa, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e kujtojnë me krenari Astritin.

“Sot janë mbushur pesë vjet pa Astritin, me shumë dhimbje dhe mall, më shumë dashuri dhe krenari e kujtojmë për punën angazhimin, kontributin dhe sakrificën e tij”.

Astrit Dehari, ish- aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje

Tutje Kurti ka thënë se Astrit Dehari është forcë për të dhe lëvizjen që përfaqëson.

“Përherë duam që dëshmori të jetë aty, të jetë për të na përshëndetur e për ta përshëndetur. Një dëshirë e papërmbajtur dhe një zjarrmi na mbërthen. Ai ishte njëri prej nesh. Një pjesë e pranisë së Astriti është kjo forcë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore