Lajme

Për herë të parë në Kosovë nis vaksinimi i vajzave kundër kancerit të qafës së mitrës


Foto e publikuar nga Komuna e Prishtinës.

Për herë të parë në Kosovë, ka nisur vaksinimi i vajzave kundër kancerit të qafës së mitrës.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Komuna e Prishtinës.

“Vaksina HPV ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shëndetin e vajzave, duke ofruar një mbrojtje efektive kundër kancerit të qafës së mitrës; një sëmundje që po shfaq një rritje shqetësuese në numrin e rasteve”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Ky vendim është vlerësuar si “një hap i rëndësishëm” për shëndetin e vajzave.

Vaksinimin të parat e kishin marrë nxënëset e shkollës “Qamil Batalli” në Prishtinë, të moshës 11 vjeçare.

“Fillimi i vaksinimit në moshën 11 vjeçare për vajzat, është zgjedhur për shkak të efektivitetit të saj të lartë në këtë fazë, duke mbrojtur deri në 99% të grave nga ky rrezik në të ardhmen”.

“Ky lajm pozitiv për vaksinimin është i rëndësishëm për të gjitha vajzat, duke ofruar mbrojtje të duhur për t’i parandaluar këto sëmundje”, ka thënë nënkryetarja e Prishtinës Jehona Lushaku.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat HPV funksionojnë më mirë nëse administrohen përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit.

Për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, OBSH-ja rekomandon vaksinimin e vajzave të moshës 9 deri në 14 vjeçe, kur, siç thuhet, shumica nuk e kanë filluar ende aktivitetin seksual.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore