Shqipëria

Peleshi inspekton urën “bailey” në Voskop: Në dy vite janë ndërtuar 25 ura, do të vijojmë bashkëpunimin me pushtetin vendor


Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, pasditen e 21 prillit ka inaguruar ndërtimin e urës “bailey” mbi lumin Dunavec në fshatin Voskop të Korçës. Nga aty ai  bëri me dije se në vendin tonë gjatë dy viteve të fundit janë ndërtuar 25 ura.

I pranishëm ishte edhe drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako dhe kryetari i bashkisë së Korçë,s Sotiraq Filo.

Gjatë fjalës së tij Peleshi vuri në dukje faktin se prej kohësh Forcat e Armatosura, përmes edhe koordinimit të Agjencisë së Mbrojtjes Civile janë në mbështetje të komuniteteve në të gjithë vendin për t’u lehtësuar jetën, duke qenë në gatishmëri edhe në raste fatkeqësish natyrore përkrah pushtetit vendor.

“Janë dhjetëra hektarë ferma që janë në krahun tjetër të lumit dhe banorëve u duhej të bënin kilometra të tëra për të mbërritur në pronat e tyre. Me investime të tilla, janë mbi 20 mijë banorë të cilëve u është lehtësuar rruga jo vetëm në ekonominë e tyre bujqësore, por edhe shërbimet publike siç janë shkollat, qendrat shëndetësore, etj.”, u shpreh Ministri.

Sipas Peleshit bashkëpunimi me pushtetin vendor do të vijojë në të gjithë vendin për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave.

“Ura ‘bailey’ mbi lumin Dunavec është 24 metra e gjatë dhe do t’u vijë në ndihmë dhjetëra banorëve të zonës”, e përmbylli Peleshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore