Lajme

Peci për aferën “gruri”: S’ka vend për shqetësim, kemi mundësi të mbulojmë 70% të nevojave


Ministri i Bujqësisë.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka deklaruar se Kosova ka shënuar rekord sa i përket mbjelljes së grurit, pavarësisht keqpërdorimeve që janë raportuar se kanë ndodhur me rezerva shtetërore.

Peci, në konferencë për media potencoi se ka garanci për cilësinë e grurit dhe se nuk ka vend për shqetësim sa i përket raportimeve të fundit se është keqpërdoruar me grurë nga ministrja, Rozeta Hajdari.

“Këtë vit Kosova ka rekordin e të mbjellave në të gjitha kulturat, posaçërisht në sektorin e drithërave. Mbi 66 mijë hektar janë të mbjella vetëm me grurë, niveli i rendimentit sillen diku afër 4 ton për hektar nëse i kalkulojmë me numrin e popullsisë dhe standardet ndërkombëtare sa kërkon konsumimi ditor, ne me këto të mbjella nëse e gjithë sasia e grurit dedikohet vetëm për konsum të qytetarëve, mund të themi se kemi diku rreth 70 për qind të mbuleshmërisë së tregut”.

“Mirëpo, ka shumë raste kur fermerët nuk zgjedhin të deponojnë sasinë e grurit, por e përdorin për kafshë ose shpezë. Ajo çka mund të them është se nuk ka vend për shqetësim, tashmë kur kemi edhe një stabilizim të tregjeve ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Me 1 gusht, dy hetues nga Krimet Ekonomike kanë intervistuar zyrtarët e Departamentit të Rezervave Shtetërore brenda Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, rreth skandalit për rezervat ushqimore publikuar në media.

Me fillim në orën 13:30 e deri rreth orës 15:00 dy hetuesit nga krimet ekonomike intervistuan zyrtarët e këtij departamenti pasi dy prej tyre u dëgjuan në përgjime të publikuara nga mediumi Nacionale.

Skandali ka të bëjë me blerjen e paligjshme të vajit, ku zyrtarët dëgjoheshin tek e pranonin se procesi ka pasur parregullsi dhe për më tepër, paratë ministria i ka dhënë, por vaji asnjëherë nuk ka ardhur në Kosovë.

Nga sa dihet deri më tani, ministria, përmes disa personave të afërt me kryeministrin Albin Kurti, bleu vaj nga një kompani pothuajse fantome në Poloni.

Albanian Post kishte kuptuar nga burime brenda ministrisë se një nga të intervistuarit ishte edhe Hafiz Gara, Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore