Lajme

Peach vjen në Kosovë, takohet me Kurtin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të enjte në ora 16:00 e pret në takim në Prishtinë të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Pos Peach në kryeqytetin kosovar gjatë muajit janar pritet të zbarkojë edhe ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak.

Kurti, në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Kosova Press, kumtoi lajmin se nisma të reja për takime në kuadër të dialogut do të ketë në fillim të vitit.

Gjithashtu, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi pak ditë më parë që “burra të mëdhenj”, do të zbarkojnë në Beograd gjatë gjysmës së parë të janarit.

Mediat serbe raportuar se pas 7 janarit Beogradin zyrtar do të vizitojnë përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Top diplomatët perëndimor, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, të cilët do të jenë të shoqëruar edhe me emisarët nga Franca e Gjermania, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner, do të tentojnë ta bindin lidershipin serb për të filluar dialogun në bazë të propozimit franko-gjerman për normalizim të plotë të marrëdhënieve.

Lajçak, dhe Escobar, ua kishin bërë të qartë kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, se “Tema e Kosovës dhe Serbisë duhet të mbyllet para një vjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë”.

Siç i ishin prezantuar pikat Albanian Post-it, arsyeja e urgjencës ishte se “në një vjetorin e luftës në Ukrainë, shtetet aleate planifikojnë që të demonstrojnë unitet, gatishmëri e fuqi në përkrahje të Ukrainës”.

Sipas asaj që kishte parë AP, “ky demonstrim do të shënojë kalimin në një nivel tjetër të përkrahjes për Ukrainën”.

Ekskluzive: Kjo është rruga e para-marrëveshjes Kosovë – Serbi, gjithçka duhet të kryhet para datës 24 shkurt ose pason “shkopi i rëndë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore