Shqipëria

Peach për protestën e Berishës: Çdo mosmarrëveshje të zgjidhet përmes dialogut paqësor, proceseve politike dhe atyre ligjore


I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar (MB) për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, pas vizitës së tij në Shqipëri, në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar, ka reaguar për protestën e 8 janarit, të thirrur nga ish-kreu i demokratëve, Sali Berisha.

“Çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut paqësor, proceseve politike dhe ligjore”, tha Peach, ndërsa sqaroi se këtë mesazh “ua kemi bërë të qartë të gjithë liderëve”.

Kjo duhet të bëhet “në interes të popullit shqiptar”, sipas përfaqësuesit britanik, dhe “jo në kuadër të interesave të ngushta individuale”.

Gjithashtu u shpreh se “MB-ja do të mbështesë demokracinë parlamentare në Shqipëri”, si dhe reformat e nevojshme për zhvillimin e vendit.

Protesta e Berishës

Më 8 janar të këtij viti, dhjetëra qytetarë kanë kërkuar largimin e lidership-it zyrtar të Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha.

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, u nis drejt selisë së Partisë Demokratike me një mision të qartë: të largojë Lulzim Bashën nga kreu i partisë.

Berisha u kërkoi mbështetësve të tij të vetëpërmbaheshin dhe vetëdeklaroi se protesta që po zhvillohej “është paqësore”.

Në të vërtetë, pamjet treguan krejt të kundërtën!

Këtë qëllim, nuk e kishte vetëm ai, por edhe mbështetësit e ish-kreu të bluve.

I vetmi aspekt kundërshtues midis dy palëve, ishte ai i gjuhës së trupit të Berishës dhe asaj verbale.

Teksa Berisha thotë se protesta është paqësore, gjestet e tij të qarta u bënin thirrje mbështetësve të mësynin selinë.

Këta të fundit nuk ngurruan t’i bindeshin liderit të tyre, të cilin e kishin rrethuar menjëherë si mburojë në mbërritjen e tij.

Dyert e xhamta ishin sakrifica e parë e godinës. Ato u thyen “pa dhunë”, sipas Berishës, duke u hapur vetë.

Fill pas protestës, Policia e Shtetit arrestoi në flagrancë 34 shtetas dhe procedoi penalisht 18 të tjerë, të dyshuar për vepra penale të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore