Shqipëria

Policia jep detaje, sa shtetas janë arrestuar në protestën ‘Berisha’


Policia e Shtetit ka bërë me dije se gjatë protestës së 8 janarit, thirrur nga Sali Berisha janë arrestuar në flagrancë 34 shtetas dhe janë proceduar penalisht 18 të tjerë.

Strukturat hetimore i arrestuan dhe ndaluan këto shtetas për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Policia ka njoftuar gjithashtu, se shtetasi G.B.,është proceduar në gjendje të lirë, për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse dhe radioaktive” dhe “Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme”.

Njëjtë edhe shtetasi F.N., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protestës së datës 8 janar 2022.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore