Lajme

PDK-ja sërish në seancë do të kërkojë shkarkimin e ministres Rozeta Hajdari


PDK.

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu Kodra pas mbledhjes së kryesisë ka thënë se gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës do të kërkojnë shkarkimin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Sipas saj, deri tani janë bërë shkelje të shumta në dikasterin të cilin ajo e udhëheq.

“Si PDK sot kemi propozuar që të kemi në rendë dite projektligjin për pensionimin e policëve të Kosovës. Ajo ka një bllokadë të shumicës”.

“Në ditën e enjte presim që të kemi në rend dite edhe shkarkimin e ministres Hajdari për shkak të shkeljeve të njëpasnjëshme që ne i kemi identifikuar në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë”, tha Deliu-Kodra.

Edhe më 15 tetor të 2022, Partia Demokratike e Kosovës, në një konferencë për media, kishte kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që deri të premten të shkarkojë ministren e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Nga PDK-ja ishte thënë se në rast se nuk do të veprohet nga kryeministri kjo parti do të nis një mocion përmbajtjesor në Kuvendin e Kosovës ku do të kërkohet votimi i një rezolute që i bënë thirrje kryeministrit ta shkarkojë ministren.

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, Hajdari “ka bërë disa skandale të vazhdueshme, për të cilat as nuk ka dhëne llogari e as përgjegjësi”.

Si skandal të fundit të saj e ka vlerësuar aktakuzën e ngritur për mosdeklarim të pasurisë.

“Një ministre e cila nuk deklaron pasurinë, në krye të shumë skandaleve të tjera, duhet të shkarkohet”, ka thënë Tahiri.

Në anën tjetër deputetja e PDK-së Blerta Deliu- Kodra i kishte radhitur disa nga skandalet, që sipas tyre ministrja Hajdari i ka bërë muajt e fundit.

“Nga skandali i kompanisë ndërtimore që blen grurë, shkelja e fëmijës me veturë, promovimi i Kosovës në revistën franceze si vend ku kanë lindur manastiret serbe dhe deri te mosdeklarimi i pasurisë – duhet ta bindin kryeministrin që ta shkarkojë atë”.

Ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ishte ngritur edhe aktakuzë për mosdeklarim të pasurisë nga Prokuroria e Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore