Lajme

PDK-ja po rikthen “qeverinë nën hije” – Pse?


Qeveria nen hije e PDK-se

Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka ndërmend të qëndrojë në opozitë dhe thjesht të artikulojë kritikën për pushtetin nga aty.

Betim Gjoshi nga PDK, ka thënë për Albanian Post se ata formojnë një “qeveri nën hije”, për të ofruar alternativa për zgjidhje të problemeve aktuale.

“Kabineti i Qeverisjes se mirë të PDK nuk do të jetë vetëm kritikuese për Qeverinë aktuale, por do të ofrojë edhe alternativa si zgjidhje të qëndrueshme për probleme të ndryshme që ka sot Kosova dhe qytetaret e saj”, ka shpjeguar Gjoshi.

Kjo, sipas Gjoshit do të bëhet menjëherë pas festave të fundvitit.

Por si praktikë, për PDK-në nuk është hera e parë.

“Ne kemi përvojën e kabinetit të 2005 i cili në atë kohë ka pas 14 departamente dhe është drejtuat nga (Hashim) Thaçi, dhe kanë qenë të shumta aktivitetet e saj në prezantimin e alternativave për energjetiken, minierat, arsimin, politikën e jashtme, ekonominë etj.”, ka vazhduar më tej Gjoshi.

Betim Gjoshi, zyrtar i PDK-se

Gjoshi tregon se qeveria nën hije ka rregulla të funksionimit, të cilat do t’i aplikojë edhe tani, pa krijuar probleme.

“Kabineti i Qeverisjes së mirë të PDK do t’i ketë rregullat e veta të funksionimit dhe nuk ka qëllimin që të jetë qeveri paralele”.

Për këtë, PDK ka modelin e vet të mëparshëm, por “si model praktikohet në shumë vende me demokraci të përparuar”.

Por, pse krijohen qeveritë nën hije?

Qeveritë në hije janë praktika opozitare të cilat përdoren nganjëherë në shumë sisteme demokratike dhe vende perëndimore, tregon Profesori i Shkencave Politik, Bekim Baliqi, për Albanian Post.

Bekim Baliqi, Profesor i Shkencave politike ne UP

“Kjo, në përgjithësi bëhet me qëllim për të monitoruar dhe kundërvënë pushtetin aktual. Duke ofruar një alternativë në fusha sektoriale dhe politika publike të ndryshme”, shpjegon Baliqi.

Por jo vetëm për të dhënë alternativa, këto sisteme qeverisëse, bëhen dhe për të krijuar një lidhje më të fortë me votuesit e partisë e cila funksionon me sistemin e qeverisë nën hije.

“Aplikimi i tyre bëhet në rend të parë për të joshur votuesit si dhe për t’u përgatitur në pozita dhe me politika një qeveri eventuale që mund të del pas zgjedhjeve në të ardhmen, nga opozita aktuale”, thotë më tej Baliqi.

Praktika të tilla të aplikimit të “qeverisë nën hije”, bëjnë shtete të ndryshme në botë, specifikisht ato të cilat kanë dy parti të mëdha, siç njihen ndryshe edhe si sisteme mazhoritare.

“P.sh. në Britaninë e Madhe. Sepse në sisteme politike proporcionale dhe ku ka më shumë parti të cilat mund të bëjnë koalicione kjo praktikë ka dëshmuar që nuk është shumë praktike dhe e zbatueshme”.

Përparësi e qeverisë në hije është “që të përcjell më afër punën e ministrive në qeveri”, duke u mundësuar kështu “zhvillim të politikave e planeve për një qeveri të ardhshme”, tregon Baliqi.

“Sidoqoftë, rreziku është që nëse nuk ka opsione bindëse karshi atyre qeveritare dhe besueshmëri e qëndrueshmëri në ofrim të alternativa të duhura me kohë të bëhet e panevojshme”, përfundon profesori i Shkencave Politike në Universitetin  Prishtinës, Bekim Baliqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore