Kosova

PDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Hekuran Muratit dhe Enis Spahiut


Shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri.

Partia Demokratike e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe ushtruesit të detyrës në pozitën e sekretarit, Enis Spahiu për arsyeje të mosekzekutimit të pagave ndaj 25 mijë mësimdhënësve.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri.

Ai në një konferencë për media ka thënë se vendimi që ka marrë Murati dhe Spahiu është “keqpërdorim i detyrës zyrtarë”.

“Sot në këto momente kur po flas kemi ngritur një kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit, Enis Spahiu në këto momente vetëm se është duke u dorëzuar kallëzimi penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Dokumenti i publikuar nga PDK-ja.

Sipas tij, situata aktualisht nuk është normale dhe për këtë nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e kryesisë.

“Ne nuk mund të sillemi në një situatë normale kur kemi keqpërdorim në nivel eklatant të pushtetit nga njerëzit e papërgjegjshëm, kur kemi keqpërdorim të pozitës zyrtare nga një ministër i papërgjegjshëm siç është ministri i Financave, Hekuran Murati andaj ne nuk qëndruam më tutje në mbledhjen e kryesisë, në fillim të mbledhjes deklaruam se në shenje revolte nuk do të marrim pjesë në këtë mbledhje”.

Edhe, Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës bëri të ditur se kanë bojkotuar mbledhjen për të njëjtën arsyeje si PDK-ja.

Arben Gashi, LDK.

“Grupi parlamentar i LDK-së, në shenjë pakënaqësie lidhur me pagat e mësimdhënësve ka lëshuar sallën e mbledhjes. Me arsyetimin se Qeveria është duke shkelur hierarkinë kushtetuese duke iu pamundësuar rreth 25 mijë familjeve që të marrin pagat e tyre dhe të njëjtën kohë duke shkelur edhe Kushtetutën e Kosovës. Qeveria e Kosovës në mënyrë arbitrare po pamundëson marrjen e pagave për mësimdhënësit”, u shpreh ai.

Shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, bëri të ditur se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk do të jetë në Kuvendin e Kosovës për 10 ditë për arsyeje shëndetësore.

“Sot nuk u mbajt mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës si rrjedhojë e dy arsyejeve. E para është që kryetari i Kuvendit prej sot e dhjetë ditë tjera nuk do të jetë në Kuvend për arsyeje shëndetësore, kryetari ka pasur një lëndim fizik mbrëmë për këtë arsyeje do të qëndrojë në shtëpi për rikuperim të këmbës”.

Shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila

Kusari-Lila ka bërë thirrje tek punonjësit arsimor që të zëvendësojnë orët e humbura për gjatë një muaji.

“I bëjmë thirrje SBASHK-ut por edhe të gjithë mësimdhënësve që të jenë në një vijë në raport me kompensimin e orëve të humbura për gjatë një muaji dhe natyrisht kjo nënkuptohet që sa më parë të bëhet edhe ekzekutimi i pagave si avans për mësimdhënësit do të bëhej pa asnjë problem dhe pengesë ligjore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore