Lajme

PDK: Gërvalla dhe Berishaj s’do të jetojnë në Kosovë kur ta kryejnë mandatin, Sallahu: Ky është kërcënim


Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar pas konferencës së Partisë Demokratike të Kosovës, ku Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i posedojnë nga dy pasaporta dhe se sipas tij, pasi ta përfundojnë mandatin nuk do të jetojnë në Kosovë.

Në reagimin e tij Sallahu ka thënë se në këtë vazhdimësinë e konferencave “të goditësve të shtetit, sot pamë një tjetër përfaqësues të tyre, që sipas gojëdhënave thuhet që paska kryer shkollë në Austri sikur ky kolektivi i fytyrave publike të PDK-së”.

“Në këtë konferencë ai tha meqë Donika Gërvalla dhe Martin Berishaj i kanë nga dy pasaporta, kur ta merr mandatin PDK, ata nuk do të jetojnë në Kosovë. Ky është kërcënim dhe njëkohësisht dhunim brutal i të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuar me kushtetutë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sallahu ka shtuar se “kjo është doktrina juridike perëndimore e PDK-së dhe përfaqësuesve të saj”.

“Vërtetë, Donika Gërvalla dhe Martin Berishaj kanë të drejtën të posedojnë edhe më shumë pasaporta se sa dy dhe mund të zgjedhin lirisht se në cilin shtet do të jetojnë”, shtoi ai.

Sallahu ka sqaruar se këtë ua garanton secili akt me efekt juridik të brendshëm dhe ndërkombëtar, e jo dëshirat e “përfaqësuesve të goditësve të shtetit përmes konferencave të zakonshme me përmbajtje jashtëzakonisht të dobët”.

Por, Gruda ka theksuar se Sallahu “po gënjen publikisht, unë nuk e kam thënë këtë kurrë”.

“E vërteta është se Martini kurrë s’ka jetuar në Kosovë as Donika. Këta janë turistë të pushtetit. Pyetja është a ka me ikë edhe Albini në Norvegji pasi që ta shkatërron Kosovën siç e ka filluar?”, ka pyetur ai.

Ndryshe, Gruda gjatë konferencës për media Gruda ka theksuar se Berishaj e Gërvalla i kanë nga dy pasaporta dhe sipas tij, kjo është arsyeja pse këta sillen kështu në konferenca ndërkombëtare”.

“Martin Berishaj ka dy pasaporta, nuk do jetoj në Kosovë mbasi ta përfundoj mandatin, Donika Gërvalla ka dy pasaporta nuk do të jetoj në Kosovë mbasi ta përfundoj mandatin. Ne do të jetojmë këtu dhe do t’i riparojnë pasojat. Këta dy njerëz kur nuk do të jetë në pushtet nuk do të jetojnë në Kosovë, kjo është arsyeja pse këta sillen kështu në konferenca ndërkombëtare”, ka potencuar Gruda.

“Shihini kush e përfaqëson Kosovën, kush e bën politikën e jashtme të Kosovës sot. E bën Martin Berishaj i dyshuar për korrupsion në pesë vende të Ballkanit dhe Donika Gërvalla që prodhon përditë skandale”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore