Shqipëria

PD gati për zgjedhjen e kryetarit, por si do të zhvillohen votimet?


Partia Demokratike po përgatitet për zgjedhjen e drejtuesit të ri të saj më 13 qershor, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Kandidaturat e katër eksponentëve demokratë janë pranuar për garën që do të zhvillohet. Lulzim Basha do të shohë përpara tij emrat e Fatbardh Kadillit, Edith Harxhit dhe Agron Shehajt.

Ndërkohë që kandidaturat janë shpallur, programet me të cilët do të prezantohen ata gjatë fushatës së tyre trejavore përpara zgjedhjeve, ende nuk janë shpalosur.

Por, me interes, është edhe të mësohet se si do të zhvillohet procesi i votimit në PD.

Organizimi i tyre i takon kryesisë së degës së PD-së në çdo zonë. Tek të gjitha ato, do të ngrihet nga një qendër votimi. Përjashtim bëjnë rastet e zonave me mbi 2 mijë e 500 votues. Tek ato do të ketë dy qendra votimi.

Ambientet duhet të jenë të zgjedhura deri më datë 7 qershor.

Anëtarët e Kryesisë dhe të Këshillit të demokratëve, si dhe anëtarët aktualë të Grupit Parlamentar aktual dhe atij të ri, do të votojnë në degën Tirana 2.

Komisionet e votimit dhe të numërimit, do të përbëhet nga tre anëtarë titullarë. Këta caktohen nga Komisioni Zgjedhor i Partisë, me propozim të Kryesisë së Degës. Kandidatët kanë gjithashtu mundësi të kenë vëzhguesit e tyre në proces.

Fleta e votimit duhet të jetë e miratuar nga Komisioni Zgjedhor i PD-së deri më 7 qershor. Fletët duhet të jenë të gjitha të vulosura nga kryetari i Komisionit të Votimit dhe Numërimit.

Të gjithë komisionet paraqiten në qendrat e votimit minimalisht një orë përpara fillimit të procesit. Votimi do të jetë i hapur nga ora 08:00 deri në orën 19:00.

Më pas, vijohet rregullisht me numërimin e votave dhe shpalljen e fituesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore