Aplikacione

PayPal-i nis blerjen dhe shitjen e kriptove në Mbretërinë e Bashkuar


Kompania amerikane e pagesave online, PayPal Holdings Inc, ka njoftuar se do të lejojë klientët në Mbretërinë e Bashkuar të blejnë, shesin dhe mbajnë Bitcoin dhe kriptovaluta të tjera duke nisur nga kjo javë.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se kjo lëvizje e kompanisë shënon zgjerimin e parë ndërkombëtar të shërbimeve të kriptomonedhës në PayPal jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se mund të frymëzojë miratimin e mëtejshëm të klasës së re të aseteve.

Në nivel global, kompania numëron mbi 403 milionë llogari aktive dhe është me qendër në San Jose, Kaliforni, ndër kompanitë më të mëdha financiare që u ofron konsumatorëve akses në kriptovaluta.

E nisi blerjen dhe shitjen e kriptomonedhës në Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij viti, duke u mundësuar më vonë klientëve të përdorin monedhat e tyre digjitale për të blerë në miliona tregtarë në rrjetin e saj.

“Reuters” shkruan se PayPal-i shpresonte se hyrja në klasën e re të aseteve do të inkurajonte përdorimin global të monedhave virtuale dhe do të përgatiste rrjetin e tij për monedha të reja digjitale që mund të zhvillohen nga korporatat dhe bankat qendrore.

“Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të punojmë ngushtë me rregullatorët në Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë botën, për të ofruar mbështetjen tonë dhe të kontribuojmë në mënyrë kuptimplote në formësimin e rolit që do të luajnë monedhat digjitale në të ardhmen e financave dhe tregtisë globale”, ka thënë Jose Fernandez da Ponte, nënkryetar dhe menaxher i përgjithshëm për kriptot.

Në Mbretërinë e Bashkuar, shërbimi i PayPal-it pritet të rivalizojë atë të shkëmbimeve të krijuara të kriptomonedhës si Coinbase Global Inc apo startup-eve si Revolut.

Përmes kuletave të tyre PayPal në internet ose në aplikacionin celular, konsumatorët do të jenë në gjendje të blejnë bitcoin, eter ose litecoin.

Megjithatë, lëvizja vjen pasi kompanitë më të qëndrueshme financiare kanë filluar t’u ofrojnë klientëve të tyre, si konsumatorëve ashtu edhe institucioneve, qasje në asetet digjitale, në rritje të çmimeve të kriptomonedhës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore