Lajme

Pas të nxehtit, Kanadaja goditet nga rrufeja


Më shumë se 130 zjarre – të ndezura nga goditjet e rrufesë – po përhapen në të gjithë Kanadanë perëndimore, të premten e 3 korrikut, pas një vale nxehtësie që po thyen rekord.

Qeveria federale e Kanadasë tha se do të dërgonte avionë ushtarakë për të ndihmuar shërbimet e urgjencës në British Columbia në luftën për të kontrolluar zjarret.

Lytton regjistroi të martën temperaturën më të lartë të shënuar ndonjëherë në Kanada, prej 49.6 gradë Celcius të martën e 3 korrikut. E gjitha kjo u përkthye më vonë në ndezjen e zjarrit.

Të mërkurën në mbrëmje, njerëzit u larguan nga fshati Lytton, British Columbia, pasi zjarri pushtoi vendin.

Shërbimi Zjarrfikës i British Columbia informoi se 136 zjarre ishin aktive në të gjithë krahinën dhe se rreth 12 mijë goditje nga rrufeja ishin regjistruar një ditë më parë.

Qindra banorë të tjerë janë paralajmëruar që të largohen nga shtëpitë e tyre. Zjarret kanë detyruar mbylljen e një numri autostradash në të dy drejtimet.

Ministri i Sigurisë Publike në Kanada, Bill Blair, tha se moti dhe zjarret kishin një ndikim “shkatërrues” dhe “të pashembullt” në British Columbia.

“Këto zjarre tregojnë se ne jemi në fazat më të hershme të asaj që premton të jetë një verë e gjatë dhe sfiduese”, tha ai.

Nga ana tjetër për shkak të nxehtësisë ekstreme kanë vdekur qindra vetë javën e kaluar – 719 vdekje – një shifër “tre herë më shumë” se mesatarja për kohën e vitit.

Temperaturat janë lehtësuar në zonat bregdetare të Kanadasë, por nuk ka ndryshuar gjë për rajonet e brendshme.

Shërbimi Zjarrfikës British Columbia tha se po përgatitej për më shumë zjarre gjatë fundjavës.

Ditët e fundit temperatura anormalisht të larta janë regjistruar në vendet e Amerikës së Veriut.

Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës pritet të rrisë frekuencën e ngjarjeve ekstreme të motit, të tilla si valët e nxehtësisë. Sidoqoftë, lidhja e çdo ngjarjeje të vetme me ngrohjen globale është e komplikuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore