Lajme

“Pas numërimit të votave të diasporës, LDK-ja do ta fitojë edhe Dragashin”


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pretenduar se partia që ai drejton ka fituar tetë komuna në zgjedhjet komunale të këtij viti. Ai thotë se pas numërimit të votave nga diaspora do të jenë fitues edhe në komunën e Dragashit.

“LDK në këto zgjedhje ka fituar Prishtinën, Pejën, Lipjanin, Istogun, Fushë Kosovën, Vitinë, Junikun – dhe pas përfundimit të votave të mërgatës, do të fitojë dhe Dragashin”, ka shkruar Abdixhiku nw Facebook.

Ai e ka konsideruar si fitore të madhe arritjen e fitores në “tetë komuna”.

“Fitorja në tetë komuna me Kryeqytet, i mbi 170 mijë votave për asamble është arritje e madhe, jashtëzakonisht e madhe nga ku jemi nisur. Për këtë mburremi të gjithë. Për këtë ndihemi të përmbushur të gjithë”, shtoi ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Po ashtu, Abdixhiku ka falënderuar mbështetësit e LDK-së, teksa ka thënë se vendin e pret një e ardhme më e ndritur.

“LDK do të vazhdojë punën në rrugën e ri gjetur. Me njerëz më shumë, punë më shumë, bashkë udhëtim më shumë. Një e ardhme e ndritur na pret përpara. Për këtë të mbetemi të sigurt. Në fund, nga zemra, një falënderim për të gjithë aktivistët e aktivistet e LDK-së, shtëpisë sonë politike, që na dhanë shtytjen e nevojshme përgjatë muajve të fundit. Me ju, çdo rrugëtim është i mundshëm”.

Ndërkaq, bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, LDK-ja ka fituar në shtatë komuna.

Në Dragash udhëheq kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani, me pesë mijë e 648 vota apo 50.21 për qind, vetëm 47 vota më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini, që ka pesë mijë e 601 vota apo 49.79 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore