Lajme

Pas një çerek shekulli, përparime në trajtimin e kancerit të qafës së mitrës


Asnjë përparim i dukshëm nuk është bërë në trajtimin e kancerit të qafës së mitrës që nga viti 1999.

Pas gati një çerek shekulli, më në fund jarriti pikan e kthesës.

Dy studime të ndryshme u prezantuan gjatë kongresit të Shoqatës Evropiane për Onkologjinë Mjekësore (Esmo) në Madrid.

Të dy studimet kanë të bëjnë me pacientët më “të vështirë”: ata me një fazë të avancuar të kancerit, për të cilët terapia standarde aktuale nuk është në gjendje të arrijë një kurë.

Gjatë dy ose tre viteve, shumë prej tyre vuajnë një rikthim dhe trajtimet e reja kanë rezultuar efektive në vonimin e ndjeshëm të këtij rikthimi.

Kanceri i qafës së mitrës përbën ende kancerin më të shpeshtë te femrat nën 50 vjeç.

Edhe pse është një lloj kanceri që mund të zhduket plotësisht dhe të diagnostikohet herët me një Pap test ose test HPV-DNA.

“Kanceri i qafës së mitrës mund të zhduket plotësisht falë vaksinës kundër papillomavirusit ose HPV-së , që është shkaku kryesor, por në pjesën tjetër të botës mundësia është ende duke u shfrytëzuar shumë pak”, sipas Nicoletta Colombo, drejtore e Programit të Gjinekologjisë Onkologjike në Institutin Evropian të Onkologjisë (Ieo) në Milano.

Çdo vit ka 600 mijë diagnoza të reja në nivel global dhe mbi gjysma e grave, rreth 340 mijë, vdesin.

Shkalla e vdekshmërisë është veçanërisht e lartë në vendet me të ardhura të ulëta, ku si vaksinat ashtu edhe depistimi për diagnozë të hershme nëpërmjet Pap-testit dhe testeve HPV-DNA, të afta për të identifikuar lezionet prekanceroze që mund të eliminohen më shpejt, janë shumë më pak të përhapura.

99,7 për qind e rasteve shkaktohen nga një infeksion i vazhdueshëm i papillomavirusit (HPV) për të cilin ekziston një vaksinë.

“Nëse zbulohet në fazat e hershme, kanceri i qafës së mitrës mund të trajtohet me sukses, duke i lejuar pacientët të shërohen plotësisht”, sipas Saverio Cinieri, president i Aiom, Shoqatës Italiane të Onkologjisë Mjekësore.

Lezioneve parakanceroze duhen shumë vite për t’u shndërruar në tumore dhe, falë diagnostikimit të hershëm me Pap-test dhe testet HPV-DNA, ato mund të identifikohen dhe hiqen në kohë, me strategji të ndryshme të disponueshme sot.

Përveç vaksinës dhe kontrolleve depistuese, të cilat shpëtojnë jetë, duhet t’i kushtohet vëmendje simptomave të tilla si rrjedhje jonormale ose gjakderdhje që nuk lidhen me ciklin menstrual, dhimbje në legen ose shpinë, humbje e papritur e peshës.

Në këto raste është më mirë të flitet me një gjinekolog pa u vonuar shumë.

Në përgjithësi, fazat e hershme të sëmundjes mund të trajtohen vetëm me kirurgji, ndërsa ato të avancuara lokale kërkojnë një qasje të integruar të radio-kimioterapisë shoqëruese me përdorimin e regjimeve.

Një provë e parë, e prezantuar në Esmo 2023 nga Domenica Lorusso, hetuesja kryesore e studimit, u krye në 30 vende dhe 176 qendra të ndryshme, për një total prej mbi një mijë pacientësh të regjistruar me qafën e mitrës të sapo diagnostikuar, të avancuar lokalisht, me rrezik të lartë kanceri.

“Gjysma e pjesëmarrësve në provën KEYNOTE-A18 morën trajtim standard dhe gjysma tjetër u trajtuan me shtimin e ilaçit të imunoterapisë pembrolizumab, e ndjekur nga mirëmbajtja me të njëjtin ilaç për 15 cikle për 6 javë”, sipas Lorusso.

Rezultatet tregojnë se regjimi i bazuar në pembrolizumab uli rrezikun e progresionit ose vdekjes me 30 për qind krahasuar me terapinë standarde.

68 për qind e pacientëve që morën imunoterapi ishin ende pa kancer pas dy vitesh, krahasuar me 57 për qind të atyre që morën trajtimin aktual.

Është studimi i parë i fazës 3 në të cilën imunoterapia ka demonstruar një përmirësim në mbijetesën pa progresion.

Është një strategji që është e destinuar të ndryshojë praktikën aktuale klinike, me shpresën për të qenë në gjendje të kurojë përfundimisht një numër në rritje të grave.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore